Në Parkun Arkeologjik të Amantias, në Vlorë arkeologët kanë zbuluar një element të panjohur më parë: murin rrethues të qytetit të poshtëm të Amantias, i cili mendohet se është ndërtuar në shek. III para Krishtit dhe shkatërruar në shek. VI pas Krishtit.
Ky element i ri hedh dritë mbi organizimin urbanistik dhe publik të qytetit ilir.

Drejtoria rajonale e kulturës kombëtare Vlorë njoftoi këtë të enjte se përveç këtij zbulimi, u realizuan edhe ndërhyrje restauruese të domosdoshme, për mbrojtjen e varreve monumentale, si dhe punime të tjera konservuese, mbi monumentet e evidentuara vitet e fundit, të cilat cenoheshin nga ngricat apo shiu.

Zbulimet e reja arkeologjike, si muri rrethues i qytetit të poshtëm të Amantias dhe elementë të tjerë të organizimit urbanistik, së bashku me ndërhyrjet restauruese në varret monumentale dhe objektet e tjera të nxjerra në dritë, pasurojnë edhe më shumë peizazhin arkeologjik të Parkut.
Amantia, ka qenë një qendër e rëndësishme e krahinës ilire të Jugut dhe për një kohë të gjatë sipas historianëve ka pasur një jetë ekonomike dhe shoqërore të gjallëruar dhe një kulturë materiale dhe shpirtërore të pasur.





/vizionplus.tv





