Subscribe

Në 25 prill qytetarët e dy qarqeve në Shqipëri për herë të parë do të votojnë në mënyrë elektronike e nuk do te përdorin fletën tradicionale të votimit. Partia demokratike dhe partia socialiste kanë rënë dakord që votimi dhe numërimi elektronik të aplikohet në Korçë. Ky qark është zgjedhur për shkak se është një zonë e qetë e cila përfshin të gjitha karakteristikat, duke nisur nga zonat urbane, ato rurale e deri tek zonat e thella si zona e Mokrës; duke krijuar një panoramë të plotë si funksionon teknologjia në një projekt pilot e si mund të aplikohet në zgjedhjet  e ardhshme në të gjithë vendin.

 

Por demokratët dhe socialistët ndahen tek qarku i dytë ku do të zbatohet votimi e numërimi elektronik; opozita propozon Fierin ndërsa socialistet Tiranën, por jo të gjithë qarkun por vetëm disa njësi në bashkinë e kryeqytetit.

 

Vendimi final për zonat ky qytetarët do të votojnë nëpërmjet teknologjisë do të merret nga komisioni rregullator e palët kanë ende kohë për të gjetur konsensus. Projekti është parashikuar të kushtoje rreth 1.2 miliardë lekë, por sfida më e madhe për realizimin e tij duket se është koha pasi 108 ditë para zgjedhjeve gara për kompanitë  që do ta realizojnë nuk është hapur ende.

 

Një hap para është procesi i identifikimit elektronik të zgjedhësve pasi kompania “SMARTMATIC” ka sjellë ofertën e saj që kushton 20 milionë dollarë për të realizuar projektin në të gjithë Shqipërinë dhe deri më tani duket se asnjë prej palëve nuk ka kritika për këtë kompani.

 

Aplikimi i teknologjisë në zgjedhje ka qenë kërkesë e çdo opozite përgjatë dy dekadave të fundit. Me kërkesën e socialistëve në 2013 u tentua që në Fier dhe Tiranë të aplikohej me projekt pilot identifikimi, votimi e numërimi elektronik, por asokohe projekti dështoi e nuk u zbatua. Në 2017 një prej arsyeve për të cilat PD u ngujua në çadrën para kryeministrisë për 3 muaj me radhë ishte refuzimi i mazhorancës për të aplikuar teknologjinë. Një vit më parë 2 prej pikave kryesore të marrëveshjes së 5 qershorit të negociuar nga amerikanët e BE është pikërisht aplikimi i teknologjisë në zgjedhjet e 25 prillit.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *