Me nismën për transformimin e Tiranës në një qytet më të gjelbër për mbjelljen e pemëve këtë sezon të ri kryebashkiakut Erion Veliaj i janë bashkuar nxënësit e gjimnazit “Eqerem Çabej”. Për Veliajn investimi do të shërbejw për brezat e ardhshëm.
“Pemët që mbjellim sot në Parkun e Porcelanit nuk do ta bëjnë hijen sot, ndoshta as pranverën tjetër, por do ta bëjnë në një kohë tjetër, për të dhënë mesazhin se një brez duhet t’ia lërë pajë një brezi tjetër një gjë më të mirë se sa ajo që gjeti”, tha Veliaj.
Duke përmendur sfidat e mëdha për ruajtjen e hapësirave publike, Veliaj solli në kujtesë disa beteja të mëparshme te investimeve që u përballën me kritika.
“Zakonisht, kritikët më të mëdhenj të hapësirave të gjelbërta kanë nga 3-4 shtëpi apo vila. Nga divani është shumë kollaj të kritikosh, por e gjithë pjesa përtej stacionit të trenit dhe “Bulevardit të Ri” kanë qenë sera. Ti nuk e zhbën dot atë realitet që ke gjetur, por disa beteja duhet t’i bësh. Për shembull, beteja për të marrë shkollën ‘Kosova’ apo ‘Betim Muço’, nga pallat për t’i kthyer në shkolla, apo për të marrë fushën e madhe në Laprakë, e cila ishte e destinuar për pallat, për ta mbajtur fushë për komunitetin”, tha kryebashkiaku.
Kryebashkiaku tha se Tirana që ka përjetuar një transformim të madh në dekadat e fundit, ka nevojë të vazhdueshme për hapësira të gjelbërta për të përballuar rritjen demografike dhe turistike./vizionplus.tv





