Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë dhe projekti në Zvërnec, dominuan diskutimet në takimin mes deputetëve të parlamentit shqiptar dhe parlamentit europian në Strasburg.
Gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, përfaqësuesit e Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian shpjeguan se po ndjekin protestën dhe kërkesat e qytetarëve, duke vënë në dukje së pari se protestat duhet të mbeten paqësore dhe së dyti qeveria shqiptare duhet të plotësojë detyrimet që rrjedhin nga kapitulli 27 për mjedisin në lidhje me projektin në zonën e Zvërnecit.
“Është thelbësore të theksohet se liria e tubimit dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera bazë të Bashkimit Evropian. Dialogu konstruktiv mes të gjithë aktorëve është rruga përpara. Siç është sqaruar më herët, në kuadër të negociatave të anëtarësimit, Shqipëria duhet të përmbushë kriteret përmbyllëse të përcaktuara në Kapitullin 27 për Mjedisin, që kërkon shfuqizimin e amendamenteve të 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, si edhe shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike”, tha Sigrid Brettel, Drejtoria për Zgjerimin, Komisioni Europian.
“Ne presim që vlerësimi i plotë i ndikimit në mjedis të kryhet sipas standardeve më të larta, siç e theksoi edhe kolegu im nga Komisioni Evropian. Gjithashtu, siç u nënvizua prej tij, presim që Shqipëria të respektojë angazhimin e saj të mëparshëm për të shfuqizuar Ligjin për Investimet Strategjike të vitit 2015 deri në fund të këtij viti. Dialogu konstruktiv mes të gjithë aktorëve të përfshirë është rruga përpara”, tha Clive Rumbold, ekspert, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Europian.
Në emër të mazhorancës , kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla garantoi se çdo projekt do të respektojë të gjitha kërkesat e BE për mbrojtjen e mjedisit. Por deputetët e opozitës akuzuan qeverinë se po sulmon protestuesit
“Projekti nuk përfshin shitjen e tokës publike, projekti mbetet në fazën e zhvillimit dhe ende nuk është miratuar projekti përfundimtar. Cdo zhvillim në të ardhmen do të kalojë të gjithë procedurat mjedisore të kërkuara nga ligji. Procesi do të përfshijë konsultime publike dhe do të garantojë transparencë me komunitetin lokal. Objektivi është të promovohet modeli i turizmit të qëndrueshëm që gjeneron vende pune, tërheq investime dhe mbështet zhvillimin e ekonomisë lokale; dhe në të njtën kohë ruan vlerat natyrore të zones”, u shpreh Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar, PS.
“Dijeni se kjo protestë nuk është e nxitur nga Moska, nga Irani apo nga çdo “armik i jashtëm” siç ka tentuar ta paraqesë qeveria shqiptare. Është reagim demokratik, paqësor që u rikthehet vlerave themelore perëndimore, pikërisht ajo lloj energjie qytetare që Bashkimi Europian duhet ta mbrojë, me vendosmëri absolute. Kur qeveria në Tiranë përpiqet ta kriminalizojë protestën, është detyra jonë si deputetë përfaqësues, por edhe e këtij forumi të përbashkët që të mos heshtë”, tha Belind Këlliçi, deputet i PD-së.
Nga ana tjetër në mbledhje u diskutua edhe perspketiva europiane e Shqipërisë dhe Taulant Balla lajmëroi se këtë javë Shqipëria pritet të mbyllë negociatat për 3 kapitujt e parë, politikën e jashtme, kërkimin shkencor dhe arsimi e kultura.





