Babë e bir ranë në prangat e policisë mëngjesin e kësaj të mërkure, pasi kishin arritur të falsifikonin një gamë të gjerë produktesh ushqimore, por edhe detergjente.
Fabian e Arnold Gero kishin përshtatur një bodrum pas shkollës ‘Kushtrimi i Lirisë” në Tiranë, ndërsa arrinin të falsifikonin nga vaji i ullirit e deri te salca e gatimit apo dhe pije alkoolike e detergjente larës.
Policia tha se për prodhimin e artikujve të ndryshme ushqimore ata përdornin ambalazhime të përdorura si dhe duke falsifikuar etiketa të firmave të ndryshme të prodhimeve vendase.
Burime pranë policisë thanë se ranë në gjurmët e të dyshuarve pas deponimit të njërit prej supermarketeve pranë zonës ku 55-vjecari sëbashku me të birin kishin bërë shitjen e produkteve.
Sipas bluve, ata nuk kanë mundur të shpërndajnë me shumicë mallrat e falsifikuara, pasi bënin shitje në dyqane vetëm pranë zonës së Shkozës.
Për këtë policia mësohet se ka kontaktuar me bizneset në mënyrë që të kontrollojnë inventarët e mallrave në mënyrë që të eliminohen produktet e dyshuara, si falsifikuara.