Subscribe

Presidenti i SHBA Donald Trump ka nisur një udhëtim 11-ditor në Azi, gjatë së cilit do të vizitojë Japoninë, Korenë e Jugut, Kinën, Vietnamin dhe Filipinet. Ky do të jetë turneu më i gjatë në Azi nga një president i SHBA pas  25 vjetësh.

 

Rrugëtimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë vjen në një kohë tensionesh të përshkallëzuara me Korenë e Veriut për shkak të programit të saj bërthamor dhe testeve të njëpasnjëshme raketore.

 

Trump pritet të tregojë një front të bashkuar me Korenë e Jugut dhe Japoninë gjatë ndalesave të tij e të ushtrojë njëkohësisht presion mbi Kinën për ta shtyrë të ndjekë një linjë më të ashpër ndaj Penianit.

 

Fillimisht presidenti Trump u ndal në Hauai, ku vizitoi memorialin Pearl Harbor, skena e sulmit tragjik japonez të vitit 1941, që e tërhoqi Amerikën në Luftën e Dytë Botërore. Kreu i shtetit amerikan mori gjithashtu pjesë në një mbledhje të shkurtër të komandës amerikane të Paqësorit.

 

Në Vietnam, Trump do të marrë pjesë në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Danang dhe do të bëjë një vizitë shtetërore në Hanoi. Angazhimi i tij përfundimtar do të jetë një samit i vendeve të Azisë Juglindore në kryeqytetin Filipine, Manila.

 

Presidenti i fundit amerikan që ka ndërmarrë një rrugëtim të tillë në Azi ishte George W. Bush, i cili vizitoi rajonin në fillimin e vitit 1992.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *