Presidenti amerikan Donald Trump do të flasë sot me presidentin rus Vladimir Putin në një përpjekje për të bindur homologun e tij të pranojë një armëpushim në luftën e Rusisë me Ukrainën dhe të shkojë drejt një fundi të përhershëm të konfliktit tre-vjeçar.
Telefonata e sotme pritet të jetë vendimtare për vijimin e bisedimeve. Diskutime për territoret e pushtuara të Ukrainës dhe termocentralet do të jenë pjesë e bisedimeve.
Gjatë muajve të parë të mandatit të tij të dytë, Trump e ka kthyer ne prioritet arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Ukrainë.
Pas bisedimeve në Arabinë Saudite, zyrtarët ukrainas dhe amerikanë kanë njoftuar se Kievi ka rënë dakord për një armëpushim 30-ditor ndërsa Moska, deri më tani, ka kërkuar më shumë kushte për një paqe afatgjatë përfshirë edhe ngrirjen e furnizimeve të Kievit me armë nga SHBA-ja.
Nga ana tjetër, Europa megjithëse mbetet skeptike, vazhdon punën e saj për një marrëveshje sigurie që mund të mbështesë armëpushimin dhe paqen afatgjatë, nëse palët bien dakord.
Të enjten dhe të premten, liderët europianë do të takohen sërish ne Këshillin Europian në Bruksel dhe shefat e ushtrisë do të vazhdojnë koordinimet e tyre në Londër.





