Të paktën tre persona, përfshirë edhe të dyshuarin, u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën gjatë të shtënave në një shkollë të mesme në Shën Luis të Misurit. Sulmuesi hyri në ambientet e shkollës së mesme të arteve vizuale dhe performuese pak pas orës 09:00 sipas orës lokale më 24 tetor. Dyert e shkollës ishin të mbyllura dhe nuk është ende e qartë se si sulmuesi arriti të hynte në objekt. Dëshmitarët në vëndngjarje thanë se shumë persona arritën të shpëtonin pasi agresorit iu bllokua arma në mes të sulmit.  Autoritetet thanë se policia amerikane arriti te neutralizonte në kohë agresorin. I dyshuari, i identifikuar nga policia si një 19-vjeçar, ish-nxënës i kësaj shkolle, shkëmbeu zjarr me policinë dhe më pas vdiq nga plagët e marra.

Ende është e paqartë se cili ishte motivi i sulmit në shkollën ku ndjekin mësimet afër 400 nxënës. Policia tha se një vajzë adoleshente vdiq brenda shkollës dhe një grua u plagos e më pas ndërroi jetë në spital. Shtatë të plagosurit – tri vajza dhe katër djem – janë jashtë rrezikut për jetë, sipas mediave lokale.

Nxënësit u larguan nga shkolla menjëherë sapo policia mbërriti në vëndngjarje. “Agresori mbante në dorë një armë të gjatë”- tha shefi i policisë së qytetit, Michael Sack. Sipas tij pak pas nisjes së sulmit, punonjësit e sigurisë së shkollës vepruan shpejt dhe vunë në dijeni stafin e shkollës, të cilët më pas thirrën policinë.

Sulmuesit iu gjetën qindra fishekë, tha Sack, duke shtuar se “kjo ngjarje mund të përfundonte edhe më keq”.

“Kjo është një ngjarje e tmerrshme për të gjithë ne”, tha ai dhe shtoi se agjentët e FBI-së po ndihmojnë në hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Sipas policisë sulmuesi kishte përfunduar mësimet në këtë shkollë vitin e kaluar dhe nuk kishte rekorde kriminale. Një nga viktimat është identifikuar nga familjarët e saj si Jean Kuczka, 61 vjeç, arsimtare e shëndetësisë.

Sipas të dhënave të organizatave arsimore në SHBA, gjatë këtij viti janë regjistruar të paktën 35 të shtëna në shkolla./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *