Subscribe

Nga Enkelejda Mema

Për të dytën herë dhe pa pritur mbledhjen e konferencës së kryetarëve të hënën, Edi Rama i thotë jo Gazmend Bardhit. Kryeministri refuzon kërkesën për interpelancë të kërkuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike për të dhënat e publikuara në investigimin e RAI3 dhe ndërhyrjen te drejtuesit e Televizionit Publik Italian.

Në platformën“X” Edi Rama i thotë Gazmend Bardhit se nuk mund të bëhet pjesë e poshtërimit të Shqipërisë në parlament nga ata që i akuzon si autorët e investigimit “Hot Spot Albanese” në programin italian “Report”.

“Shkurt llafi, s’ka asnjë urgjencë për një poshtërim të radhës të parlamentit të Shqipërisë me një interpelancë të kërkuar nga autorët e prapaskenës së asaj shfaqjeje të shëmtuar në dëm të krenarisë legjitime të çdo shqiptari për Shqipërinë, e në radhë të parë të shqiptarëve që jetojnë me nder e krenari sot në Itali, pasi kanë kaluar një kalvar të tërë poshtërimesh nga artikuj, emisione e gjasme investigime të tilla në të shkuarën e errët të shtypit italian e sidomos të RAI-t ndaj Shqipërisë, shkruan Rama.

Për Partinë Demokratike me kryetar Sali Berishën dhe komisionin përgjegjës për median në senatin italian që e cilësoi të paprecedentë kontaktin e drejtpërdrejt të kryeministrit shqiptar me drejtues të RAI3, Edi Rama ka këtë përgjigje.

“Obobo qenkan shqetësuar në Senatin Italian pse unë nuk kam mbyllur gojën, po kam guxuar të ngre zërin andej matanë për t’u vënë emrin që kanë plehrave të shitura në Itali si zbulime investigative, ndërkohë që mua jo që as nuk më shqetëson fare se kush shqetësohet nga ata që kujtojnë se në emër të lirisë së medias në vendin e tyre, Shqipëria e shqiptarët mund të denigrohen pa bërë as gëk as mëk me plehra të nxjerra nga kuzhina e shtëpisë së xhahilëve e çingijeve të vendit tonë, po më vlon gjaku nga revolta për cënimin e imazhit të Shqipërisë e të dinjitetit të shqiptarëve! As që nuk më shkon ndërmend të mbyll gojën deri kur e vërteta shqiptare të thuhet e plotë në italisht, pa asnjë censurë. Nëse nuk fliska dot kryeministri i Shqipërisë me një drejtor të RAI-t se cënoka lirinë e atyre që cënuan dinjitetin e vendit dhe institucioneve tona, duke censuruar komplet fjalët e të akuzuarve pa asnjë provë kush do të flasë në emër të dinjitetit të këtij vendi e të së drejtës elementare të çdo shqiptari”, shkruan Rama.

Me qëndrimin se investigimi i RAI3 është një histori që nuk duhet kaluar lehtë dhe vetëm pasi të thuhet e vërteta që pretendon Edi Rama, kryeministri shkruan në “X” se byrekut të “Hot Spot Albanaese” do t’i hapen të gjitha petët.

“Do t’u vijë radha edhe këtyre këtej. Kështu që xhahilët, çingijet e ahengxhinjtë e tyre, le të vazhdojnë tallavanë e tyre me dollitë e gëzimit për denigrimin e Shqipërisë në atë emision skandaloz dhe le të mbrojnë Italinë e lirinë e RAI-it nga ndërhyrjet e mia, se helbete si njerëz pa atdhe që janë, punojnë për çdo të huaj që me qëllim apo nga padija është gati ta denigrojë Shqipërinë, duke nxjerrë në mexhelise jashtë kufijve tanë plehrat e shtëpisë së këtyre këtu”, shkruan kryeministri Rama.

Të dielën “Report” në RAI3 ka njoftuar vazhdimin e investigimit. Mbetet për tu parë nëse kërkesa e Edi Ramës për të patur një bisedë të drejpërdrejt me drejtuesin e “Report” Sigfrido Ranucci do të pranohet nga autorët e programit./VIZIONPLUS.TV/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *