Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste dhe drejtuesin politik të qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri, kanë inspektuar qendrën e re shëndetësore në Prrenjas, e rindërtuar në kuadër të programit të 300 qendrave shëndetësore.

 

Duke theksuar se transformimi i qendrës 24 orëshe në Prrenjas do të ofrojë shërbime me standarde për banorët e këtij komuniteti, Manastirliu tha se falë programit të rikonstruksionit të qendrave shëndetësore, modele të tilla do të vijojnë të ngrihen në gjithë vendin.

 

“Kjo është me të vërtetë një qendër shëmbëlltyrë e vizionit tonë për strukturat shëndetësore 24 orëshe kudo në Shqipëri. Ndaj është një model i mirë që do ta replikojmë dhe po e replikojmë në shumë qytete të tjera. Strukturat e qendrave shëndetësore të cilat kanë ndryshuar në kuadër të programit tonë të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, ku vetëm për qarkun e Elbasan ne kemi rehabilituar 32 qendra shëndetësore”, tha Manastirliu.

 

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se këtë vit do të rehabilitohen edhe 37 qendra shendetësore dhe ambulance, teksa foli për rindërtimin e të gjithë qendrave shëndetësore në vend.

 

“Edhe këtë vit, në fazën e dytë të këtij programi, ku synojmë që 100% të qendrave shëndetësore dhe ambulancave në Shqipëri, në këtë 4-vjeçar, të rehabilitohen dhe të organizohen në mënyrë të tillë, që të ofrojnë shërbime sa më cilësore për qytetarët. Edhe këtë vit do të rehabilitojmë për gjithë vendin 37 qendra shëndetësore dhe ambulanca”, tha Manastirliu.

 

Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri nënvizoi se këto investime janë në shërbim të komunitetit.

 

“Nuk dua të flasim në emër të qytetarëve, por e dinë të gjithë se si ka qenë kjo qendër, mjaton të shohësh godinën pas dhe krahasimi bëhet vetë. Këto janë investime që shkojnë në dobi të qytetarëve, kjo është në shërbim të të gjithë njerëzve, të të moshuarve, këtu trajtohen mbi 15 mijë raste”, tha Gjiknuri.

 

Investimi në Qendrën 24-orëshe të Prrenjasit në vlerën 36 mln lekë për rehabilitimin, pajisje të reja biomjekësore dhe mobilim, ka garantuar shërbim shëndetësor cilësor për 37 mijë qytetarët e bashkisë Prrenjas dhe zonës së Mokrës. Godina 2 katëshe i është nënshtruar rikonstruksionit tërësor dhe falë investimit të kryer është rikonceptuar edhe shërbimi i urgjencës 24 orëshe, me qëllim triazhimin e pacientëve dhe ofrimin e shërbimit mjekësor në kohë dhe me cilësi.

 

Falë programit të rikonstruksionit të qendrave shëndetësore dhe shpërndarjes së tyre kapilare në territor është garantuar aksesueshmëri dhe cilësi në kujdesin shëndetësor parësor për qytetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *