Ish-deputetja Albana Vokshi e konsideron fitore tërheqjen e mazhorancës nga votimi në Kuvend për paketën “Anti-shpifje”.

Përmes një postimi në “Facebook”, Vokshi shprehet se premtimet e kryeministrit Edi Rama për rrëzimin e dekretit të presidentit Meta përfunduan si “propagandë boshe”.

 

“Fitoi fjala e lirë! Edi Rama u betua për javë me rradhë që do të votojë në parlament paketën e censurës kundër medias online. Nuk la njeri pa kapur, gur pa lëvizur, por dështoi. U tërhoq sot nga votimit pa i shkuar deri në fund nismës antikushtetuese, kundër të cilës kanë dalë kundër gazetarët, opozita, Komisioni Europian, Këshilli i Europës, OSBE-ja. Stërbetimet se do të rrëzojnë dekretin e Presidentit që ktheu ligjin antikushtetues, përfunduan si propagandë boshe. Kauza jonë e drejtë fitoi një betejë. Edi Rama nuk e kaloi ligjin që kërcënon gazetarët me burg dhe median online me mbyllje dhe gjoba. Pushteti i Edi Ramës po shkërrmoqet dita ditës. Të gjithë bashkë, ne mund t’ia dalim të ruajmë liritë tona, lirinë e shprehjes, lirinë e votës, lirinë zgjedhjes.”

 

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla kërkoi sot nga foltorja e Kuvendit që të shtyhet shqyrtimi i dekretit të kreut të shtetit për mediat audiovizive, deri sa të vijë qëndrimi i kërkuar nga Komisioni i Venecias. Ndër të tjera, numri dy i socialistëve deklaroi se shtyrja e votimit për “Antishpifjen” do të bëhet deri në momentin kur “Venecia” të sjellë raportin në muajin mars.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *