Drithërima, emocione dhe shumë talent. Edhe nata e dytë e Albania’s Got Talent në Vizion Plus, ishte përtej pritshmërive të publikut sa i përket performancave të konkurentëve.
Lahuta, spektakël, muzikë dhe zëra të talentuar, kjo ishte ajo që prodhoi e hëna në televizionin kombëtar Vizion Plus.
Një surprizë jo vetëm për publikun, por edhe për vetë familjen e saj ishte performanca e Senada Demushi, nënës me katër fëmijë të cilën ëndrrën për muzikë e ka trashëguar tek vajza e saj, Amla.
Senada e nisi performancën e vetme, duke dhuruar një performancë të mahnitshme në skenë, por kjo ishte një “kurth”, pasi konkurentja e vërtet e Albania’s Got Talent ishte Amla. Amla arriti të merrte komente shumë pozitive nga juria.
E ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites”, Amla tregoi emocionet para se të ngjitej në skenën e e Albania’s Got Talent. Ajo tregoi për herë të parë këshillat që i jep nëna e saj, Senada Demushi para se të marrë pjesë në kompeticione të tilla.
“Ishte shumë emocionuese. Ishte diçka shumë e madhe. Kur dola nga skena më ka përqafuar shumë gjyshi kishte lot gëzimi. Dridhesha nga emocionet. Kur dola në skenë nuk mendova gjë tjetër veç thashë kam ardhur për qejfin tim, jo për të fituar. Më merak kisha Kastron, duke ditur edhe stilin e tij të këndimit. Mami më thot gjithmonë dil për qejfin tënd, trego veten tënde. Këto fjalë më kanë bërë një njeri modest“, tha Amla.
Senada Demushi rrëfeu arsyen pse nuk arriti të realizonte ëndrrën e saj, këndimin. Ajo shprehu që dëshira më e madhe për vajzën e saj në këtë edicion të Albania’s Got Talent është të shkojë deri në finale.
“Kisha emocione, por duhet t’i mbaja që mos t’ia shtoja emocionet vajzës.Kënga më ka dhënë shumë emocione. Jam vajzë e një artisti shumë të njohur në folklor. Është faj i tij në thonjëza që unë jam bërë artiste sepse babi më merrte gjithmonë me vete. Nëna ime kishte frikë opinionin si të çojmë vajzën të këndojë. Më pas mora pjesë në aktrim dhe kënga më ngeli peng. Dhe erdhi një moment që e realizova dhe faleminderit produksionit. Për mua nuk e dinin fare që do të isha në skenë, janë habitur. Ëndrra më e madhe për këtë edicion është që Amla të shkojë në finale. Mentori i vetëm i saj jam unë. Po përgatitemi”, tha Senada Demushi.
Fansat më të mirë të Amlës janë vetë familja e saj. Motra e saj, Mjalta arriti të merrte vëmendje për mbështetjen që i dha motrës së saj kur u ngjit në skenë.
“Më pëlqeu shumë kur këndoi në skenë mami me motrën. I kam mësuar të gjitha këngët e Amlës”, tha Mjalta.
Për të gjithë ju që nuk patët mundësinë ta ndiqnit LIVE spektaklin e rekordeve, mund ta ndiqni në të gjitha rrjetet sociale të Vizion Plus, youtube, Facebook, Instagram dhe Tik-Tok.
/vizionplus.tv





