Sot, më 5 maj bëhen 5 vite kur shkrimtarja Flutura Açka mori lajmin më të trishtë të jetës së saj. Ndarjen nga jeta të djalit të saj të vetëm, në lule të rinisë, në moshën 18-vjeçare.

Në një postim në Facebook, shkrimtarja ka ndarë disa fjalë të dhimbshme dhe kujtimet me djalin, ndërsa i tregon ato pak ndryshime që kanë ndodhur në jetën e saj.

Açka e mbyll këtë postim me rreshta drithërues ku shkruan: Dhe lutem të jetë e gjatë e gjatë dita dhe e shkurtër e shkurtër jeta. Imja. Pa ty./vizionplus.tv

Postimi i plotë:

Biri, i gjashti 5 maj i ikjes

Asgjē nuk ka ndryshuar në rrugicēn tonë. Në jetën tonë po: mungon ti. Në byrektoren e cepit shkoj rrallë. Edhe miq takoj gjithnjë e më pak. Librat dhe fletët e kanë pushtuar shtëpinë, një pjesë e mirë politike. Ka një kohë të ditës kur dhimbja merr trajtë heshte dhe cembis kujtimet. Aty ku ti ke të vetmen ekzistencë.

Sot është e diel. Nuk jam ngritur ende. Kam përtesën e njerëzve me puls të ulët, të cilët kanë vështirësi të zgjasin kokën në dritare e të shohin ditën, të ngrihen e të gjejnë dollapin e veshjeve, të kërkojnë mes sendeve e të dallojnë krehërin, të rrëmojnë në kuzhinë e të nuhasin kafenë, të sillen pra si humanë, të gjallë.

Sot do të jetë e diel gjithë ditën, e nuk do të ma shënojë kush për çarmatosje etike, as morale, as politike 🙃 sjelljen. Do të ngrihem, dhe për fat byrektorja jonë rri hapur gjithë ditën. Do ta blej byrekun tënd, sepse e di që dita ima ka shijet që pëlqeje ti, ka qetësinë që dije të ndaje ti, ka mirësinë qē kishe dhe falje ti.

Dhe lutem të jetë e gjatë e gjatë dita dhe e shkurtër e shkurtër jeta. Imja. Pa ty.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *