Ditën e enjte do të vendoset nëse ankimi i qeverisë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e masës së pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku do të kalojë për gjykim apo jo. Gjykata Kushtetuese e ka lënë ende në pritje verdiktin për çështjen Balluku.
Tre gjyqtarët, Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, nuk arritën dot unanimitet për të vendosur nëse ankimi i kryeministrit Rama do të kalojë për shqyrtim, dhe çështja i kaloi Mbledhjes së Gjyqtarëve.
Juristi Ledio Braho, i ftuar në studion e Quo Vadis në Vizion Plus, sqaroi hapat që do të ndiqen për zëvendëskryeministren e pezulluar nga SPAK, pas shtyrjes së çështjes.
Braho shpjegoi se çështja i kalon trupës së plotë, në këtë rast me 8 gjyqtarë. Në rast se trupa me 8 gjyqtarë është e ndarë 4 me 4 në vota, juristi tha se çështja rrëzohet.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Duhet të ishte 3 me 0 votimi që të kishte një vendimmarrje?
Braho: Vendimmarrja i kaloi kolegjit. Kolegji ka një kusht, duhet ta miratojë 3 me 0. Nëse nuk arrihet, ose një prej anëtarëve ngre dyshime, atëherë i kalon trupës së plotë, në këtë rast me 8 gjyqtarë. Kjo ka sjellë si pasojë ta shqyrtoja mbledhjen e gjyqtarëve këtë çështje.
Borakaj: Rrezikon 4 me 4, meqënëse janë 8 gjyqtarë?
Braho: Patjetër që mund të ndodhë, por 4 me 4 është e rrëzuar si çështje, duhet patjetër 5 vota. Nëse nuk arrihet, atëherë çështja do ketë një interpretim si rasti i Berishës. Nëse do jetë e njëjta linjë arsyetimi, përgjigjja do të jetë kur Balluku ta cojë vet si çështje, pasi ka kaluar të gjitha hallkat e gjyqësorit.
/vizionplus.tv





