Ekspertë të tregut bankar janë të mendimit se kriteret e reja kufizuese të vendosura nga Banka Qendrore për kreditë për banesa do të prekin familjet me të ardhura të mesme, ato që kanë nevojë për strehim.
Brunilda Isaj, sekretare e mikrofinancës si dhe eksperte e fushës, gjatë një interviste për emisioni “E-ZONE” sqaroi se masat e bankës erdhën në një mënyre pak befasuese, kur askush nuk i priste. Sipas saj kushdo që blen prona për qëllime biznesi nuk do të preket nga shtrëngimi i masave të kredive.
“Mendoj se masat kufizuese, ku i hiqet mundësia individëve që të blejnë një banesë me 100% kredi do të prekë më shumë familjet me të ardhura të mesme-të ulëta. Këto familje do të duhet të kenë më shumë lekë gjendje për të paguar atë që njihet si kësti i parë dhe më pas të aplikojë për kredi. Këto familje janë ato që blerjen e një shtëpie e kanë për strehim dhe jo për investim. Çdo kush tjetër që hyn në treg për biznes, nuk mendoj se do të cenohet nga këto masa”, tha Isaj në Vizion Plus.
Të dhënat flasin se kredia e re për blerje banesash ka njohur vetëm rritje që pas pandemisë. Sipas të dhënave në fund të 2024 kredi e re për pasuri të patundshme arriti në 54.9 miliard lekë.

Sipas Isaj rritja e kredisë po ndjek trendin e zhvillimit ekonomik, ku turizmi dhe projektet zhvilluese në këtë sektor kanë nxitur kërkesën për prona, për rrjedhojë edhe çmimet kanë ndjekur të njëjtin trend.
Isaj thotë se masat e bankës do të kenë më shumë edhe efekt psikologjik. Duke qenë se është hera e parë në këtë treg që aplikohen masa kufizuese, mbetet për tu parë se si do të perceptohet në treg, do të kemi stabilizim, ulje apo rritje çmimesh.
Masat shtrënguese të BSH vijnë në një moment, kur në janar të vitit 2025 hyjnë në fuqi masa shtrënguese edhe për kredinë konsumatore që jepen nga mikrofinanca./vizionplus.tv





