Subscribe

Duke nisur nga sot, në bulevardin “Zogu i Parë” do të jetë shtatorja e “Mbretëreshës Geraldinë” .

 

Të pranishëm në përurim ishin kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, princ Leka Zogu dhe zëvendësministri i Hungarisë për Punët e Jashtme dhe Tregtisë, për Politikat e Sigurisë, Péter Sztáray .

 

ERION VELIAJ

KRYETAR I BASHKISE TIRANE

“Kemi pasur një vit shumë intensive: Fillimisht vendosëm statujën e Skënderbeut në sheshin dhe parkun kryesor të Budapestit, kurse sot përurojmë statujën e Nënës Mbretëreshë në Bulevardin kryesor të Tiranës. Nuk ka mënyrë më të mirë për të shprehur këtë lidhje midis dy shteteve. Midis Shqipërisë dhe Hungarisë ekziston një raport i veçantë. Edhe bashkitë respektive bëjnë punën e tyre: kemi një raport të shkëlqyer me bashkinë e Budapestit, por raporti mes njerëzve është më i miri. Raporti që kanë zhvilluar njerëzit, duke filluar nga Janosh Huniadi me Skënderbeun, dhe i Mbretit tonë Zog me mbretëreshën Geraldinë, tregon se urat që lidhen mes njerëzve janë të pathyeshme”.

 

Përurimi i shtatores së “Mbretëreshës Geraldinë” konsiderohet nga princ Leka si një vepër arti që do të stolisë një nga arteriet qendrore të kryeqytetit.

 

PRINC LEKA ZOGU

 

“Zoti ambasador dhe zoti kryetar i bashkisë, falë punës dhe këmbënguljes suaj historia do t’ju mbajë mend si artizanë të vërtetë të paqes dhe të vëllazërisë mes kombeve tona. Falenderoj në mënyrë të posaçme anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që kanë përzgjedhur këtë shesh në mes të Bulevardit “Zogu I”, si vendin e ngritjes së shtatores së Mbretëreshës Geraldinë, ata kanë përmbushur një amanet që vjen nga historia dhe kanë drejtuar gishtin nga aspirata e popullit shqiptar për pajtim kombëtar”.

 

Shtatorja e “Mbretëreshës Geraldinë” është një donacion i Ambasadës Hungareze për qytetin e Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *