Presidenti i SHBA Joe Biden ka bërë të ditur se Izraeli do të ndalojë luftimet në Rripin e Gazës përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se po shpreson që javën e ardhshme të nisë një armëpushim i përkohshëm, ndërsa negociatat ende vazhdojnë.

Reuters ka bërë të ditur se Hamasi po shqyrton tashmë një propozim të ri armëpushimi që përfshin një sasi të konsiderueshme ndihmash humanitare dhe shkëmbim të burgosurish palestinezë me pengje izraelitë.  Ky propozim është përpjekja më serioze e javëve të fundit dhe vjen vetëm pak kohë përpara nisjes së muajit të agjërimit.

“Shpresoj në fillim ose në fund të fundjavës. Këshilltari im i sigurisë kombëtare më thotë se janë afër. Nuk kanë përfunduar ende. Shpresa ime është që deri të hënën që vjen do të kemi një armëpushim”, tha Biden.

Propozimi i armëpushimit doli nga takimi në Paris i zyrtarëve të lartë perëndimorë, izraelitë dhe ndërmjetësve nga Katari dhe Egjipti.

Konkretisht ky propozim parashikon shkëmbimin e 40 pengjeve izraelitë me 400 të burgosur palestinezë. Gjithashtu, riparimin e spitaleve, furrave të bukës dhe 500 kamionë me ndihma humanitare në ditë për rripin e gazës. Deri më tani si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Rripin e Gazës është shkaktuar një katastrofë humanitare dhe janë vrarë rreth 30.000 palestinezë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *