Një banesë private është shkrumbuar plotësisht nga flakët paraditen e së dielës në fshatin Murras, Njësia Administrative Papër, në qarkun e Elbasanit.
Sipas informacioneve paraprake, në momentin e rënies së zjarrit në banesë ndodheshin tre anëtarë të familjes, të cilët kanë mundur të dalin menjëherë jashtë, pa pësuar dëmtime fizike.
Familjarë dhe banorë të zonës janë përpjekur të ndërhyjnë për shuarjen e flakëve, por pa sukses, për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit.
Në vendngjarje ka mbërritur shërbimi zjarrfikës, i cili ka pasur vështirësi në akses për shkak të terrenit, por ka arritur të lokalizojë dhe të shuajë flakët.
Si pasojë e zjarrit, banesa është shkatërruar tërësisht së bashku me orenditë dhe sendet personale, duke lënë familjen pa strehë.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë zyrtarisht të konfirmuara. Dyshohet paraprakisht se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një defekt elektrik në një pajisje elektro-shtëpiake. Një grup hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./vizionplus.tv





