Një ndeshje futbolli ndryshon nga tjetra, ashtu si një paraqitje e ekipit nga një takim në tjetrin. Skënderbeu do të luajë javën e tretë të kampionatit të kategorisë superiore në fushën e vet ndaj Laçit.

 

Trajneri Orges Shehi, në konferencën për shtyp të dhënë para kësaj përballjeje me ekipin kurbinas, ka dhënë mesazhin se synon fitoren e tretë radhazi, edhe pse e konsideron të vështirë takimin.

 

‘Çdo ndeshje ka specifikat e veta. E mundëm Laçin para tre javësh në superkupë, por kjo nuk do të thotë se e kemi më të lehtë ndeshjen për kampionat’ tha në deklaratën e tij tekniku i skuadrës korçare. Ai vlerësoi ekipin kundërshar për kompaktësinë dhe rezistencën e tij.

 

Katër pikë në renditje që ka Laçi tregojnë edhe potencialet e tij këtë sezon. Ndërkaq, sipas Shehit fillimi i kampionatit nuk tregon ende asgjë lidhur me skuadrat që do pozicionohen lart apo në fund të tabelës së klasifikimit. Ai ka kërkuar përqëndrim nga të tijtë dhe respektim të kundërshtarit, teksa ndeshja në Korçë do të luhet pa praninë e tifozëve.

 

Shehi tha se deri në zhvillimin e ndeshjes do të përcaktohet edhe formacioni bardhekuq me ndërhyrjet e duhura për të ndërtuar ekipin që do sfidojë Laçin me synim fitoren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *