Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vijojnë përpjekjet për të parandaluar përhapjen e konfliktit në rajonin e Lindjes së Mesme nën ethet e kërcënimeve të Iranit për tu hakmarrë ndaj izraelit.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Mathew Miller bëri të ditur se kryediplomati Antony Blinken po punon me homologët e huaj që një gjë e tillë të mos ndodhë.

“Sekretari Blinken është angazhuar përmes një sërë bisedash telefonike me homologët e huaj, përfshirë ministrin turk të punëve të jashtme, ministrin kinez dhe ministrin e Arabisë Saudite për të bërë të qartë që përshkallëzimi nuk është në interes të askujt, as të Iranit as të rajonit e as të botës”, tha Miller.

Po ashtu zëdhënësja e shtëpisë së bardhë bëri të ditur se SHBA e ka paralajmëruar Iranin për kërcënimet që po i bën izraelit.

“Ne i kemi bërë të qartë Iranit se SHBA-të nuk kanë të bëjnë me sulmin që ndodhi në Damask.  E kemi paralajmëruar që të mos e përdorte këtë sulm si pretekst për të përshkallëzuar më tej konfliktin në rajon apo për të sulmuar objektet ose personelin e SHBA-së”, tha Karine Jean-Pierre.

Shtetet e Bashkuara kanë kufizuar tashmë udhëtimet për punonjësit e tyre në Izrael deri në një njoftim të dytë.

Rusia, Gjermania dhe Britania janë angazhuar gjithashtu për t’ju thënë vendeve në Lindjen e Mesme që të tregojnë përmbajtje ndaj një përshkallëzimi të mundshëm.

Irani është zotuar të hakmerret, pasi Izraeli bombardoi konsullatën iraniane në Damask dhe vrau disa persona, përfshirë zyrtarë të lartë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *