Për ekspertët e ekonomisë, mandati i katërt qeverisës i partisë në pushtet është mandati me përgjegjësinë më të madhe.
Eduard Gjokutaj, ekspert i ekonomisë, thotë se sfida më e madhe e katër viteve të ardhshme qeverisëse është përfshirja e votuesit që mungoi në këto zgjedhje. Ata që munguan ishin gati 2.1 milion votues.
“Në mandatin e 4 përgjegjësia është më e madhe, pasi nuk mund të ketë një retorikë apo slogane që e kërkojnë përgjegjësinë tek elementë të jashtëm. Mandati i ri kërkon një kontratë të re me qytetarët, më transparente dhe me më shumë llogaridhënie, ku pjesë duhet të jetë dhe ai votues që mungoi në këto votime”, tha Gjokutaj.
Por zgjedhjet e 11 majit, për ekspertin, konfirmuan, në dallim nga proceset e tjera elektorale, se dominoi votuesi ekonomik.
“Në dallim nga fushatat e tjera, dallimi ishte se votuesi ekonomik vendosi fatin e këtyre zgjedhjeve. Qytetarët votuan për interesat e tyre afatshkurtra ekonomike. Edhe vota e diasporës ishte ekonomike dhe jo politike”, sqaroi Gjokutaj.
Ndërkohë edhe ata qytetarë që nuk votuan dhanë mesazhin e tyre në këto zgjedhje. Sipas Gjokutaj, është i rëndësishëm të lexohet si mesazh dhe të adresohen me politikat qeverisëse, në vitet e ardhshme.
/vizionplus.tv