Subscribe

Vizion Plus e nis sezonin me shumë surpriza. Emocione të reja, por edhe shumë alternativa për të kënaqur publikun në çdo orë të ditës, me transmetimet që nisin nga herët në mëngjes e deri tek emisionet në orët e vona apo ethet e sfidave të Champion League.

 

E hëna e parë e shtatorit çel sezonin e ri në “7 pa 5”. Emisioni që servir për publikun çdo mëngjes informacionin utilitar që do t’ju duhet për të nisur si duhet ditën tuaj, vjen edhe këtë sezon me Pranvera Borakaj dhe Nolian Lole.

 

Më të rejat nga vendi, rajoni dhe bota do të vijojnë t’i përcillen publikut jo vetëm në edicionet e lajmeve, por edhe në adresën zyrtare të Vizion Plus, pasi redaksia e informacionit premton të rejat më të fundit në kohë reale.

 

Ëmbëlsia e Anila Çelës këtë sezon të ri rikthehet pasdite në ekranin e Vizion Plus. Ashtu sikurse edhe shumë vite më parë, ajo bashkëpunon me Roland Plakun dhe nuk është e vështirë t’i gjejmë në studio, në punë e në kërkim të detajeve që e sjellin këtë emision të rikonceptuar.

 

Edhe këtë sezon, ne kujdesemi që aktualitetin politik e ngjarjet më të bujshme shoqërore t’i përcjellim më të zgjeruara. Rudina Xhunga hap një dritare për të gjithë ju, çdo fillim jave.

 

Java do të vijojë me emisionet “Kapital” e “Oktapod”, që çdo të premte mbrëma përcjellin ngjarjet më të bujshme të javës. “Kapital” nga Aleksandër Furxhi ka të njëjtin mision e rezervon biseda me analistët e njerëzit me peshë të politikës, botës së televizionit apo shoqërisë civile.

 

Personazhet e show bizit, spektakli, ngjarjet që klikohen, e që kthehen në burim për median e shkruar do t’i gjeni në tentakulat e “Oktapodit”. Turjan Hyska rikthehet me të njëjtën energji, çdo të premte në ora 22:00 për të vijuar deri në mesnatë.

 

Me sezonin e ri ndryshime pëson edhe struktura e transmetimit të serialeve në Vizion Plus. Të hënën nis rrugëtimin superproduksioni turk, “Dashuri e pafund”, që do ta grishë publikun nga e hëna në të premte në orën 20:00, me aktorët më të mirë, e më simpatikë të momentit.

 

Seriali i konsideruar një ndër më të mirët e 2017-ës ka tërhequr vëmendjen e mediave europiane që kanë blerë të drejtën e transmetimit e jo vetëm. Aktorët me plastikën dhe profesionalizmin e tyre kanë grishur edhe producentët e artistëve italianë Adriano Celentano e Mina.

 

“Dashuria e pafund” do t’ju shoqërojë nga e hëna në të premte në orën 19.45, ndërkohë, që seriali aktual “Stina e Qershive”, një superproduksion i përcjellë pak kohë më parë në platformën Tring, por shumë i kërkuar, aq sa për t’u ritransmetuar, vjen edhe në Vizion Plus në orën 17.00.

 

Vizion Plus premton shumë të qeshura përmes formateve “Al Pazzar” dhe “Apartamenti 2XL” që nuk do t’i mungojnë këtij sezoni. Ashtu sikurse edhe satira e “By Pass Show” që do të përcjellë lajmet e javës në një këndvështrim tjetër.

 

E ashtu sikurse është lajmëruar edhe më herët, emocionet e Uefa Champions League kanë nisur. Ndeshjet e kompeticionit me madhështor të kontinentit do të transmetohen në Tring HD e Vizion Plus. E nuk mbaron këtu, pasi Eva Murati e Andi Nuraj kujdesen të rikthejnë emocionet e të gjitha ndeshjeve, në studion ku analizohen e komentohen ethet e sfidave që grishin miliona njerëz në të gjithë botën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *