Televizioni kombëtar Vizion Plus nis nga kjo e hënë sezonin e ri televiziv, duke sjellë për publikun shqiptar një hapësirë të pasur e të larmishme programacioni, ku informimi, argëtimi dhe analiza bashkohen për të krijuar një eksperiencë të plotë mediatike.
Dita nis me “LIVE NË MËNGJES”, nga ora 06:45 deri në 09:00, nën moderimin e Brikena Priftit dhe Indrit Çobanit. Lajmet më të rëndësishme transmetohen në kohë reale, të pasuruara me gjendjen e trafikut, parashikimin e motit dhe pasqyrën e web-it, për një audiencë që është gjithmonë në lëvizje.
Pas mëngjesit, “MES’DRITË” nga ora 10:00 deri në 13:00 do t’i japë paradites suaj një tjetër dimension. Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova sjellin një miks rubrikash, astrologji, gossip, lifestyle, gatim dhe ide kreative, të ndërthurura me intervista të ftuarish në studio.
Studio e ngrohtë e “LIVING DAY”, me Brunilda Lahen do ju presin çdo pasdite në një transmetim live, mbushur me tematika sociale, ngjarje mbi aktualitetin, histori njerëzore, reportazhe në terren etj.
Aktualiteti përmes satirës nuk mungon me “FAKE OFF”, çdo ditë në 19:40, ku Agron Llakaj dhe Albano Bogdo shfaqin realitetin shqiptar në një dritare ku e qeshura bëhet reflektim mbi jetën e përditshme.
Në kohë reale çdo lajm do të jetë pranë çdo teleshikuesi përmes 4 edicioneve informative.
Pasioni për futbollin elitar gjendet në “NATA CHAMPIONS” të mërkurave në 20:30 dhe në “STUDIO SPORT” të dielave në 22:30, me Vilma Mashën, ku momentet kyçe të ndeshjeve analizohen me pasion dhe ekspertizë.
Ekonomia ka hapësirën e saj në “E-ZONE”, çdo të shtunë në 17:50, me Rajmonda Lajthin e cila trajton çështje që ndikojnë jetën dhe biznesin e qytetarëve shqiptarë.
Për debate të thella mbi çështjet aktuale, “QUO VADIS” çdo të martë dhe të enjte në 21:00 me Pranvera Borakaj, ofron një hapësirë ku biseda bëhet reflektim larg zhurmës mediatike.
Dramat dhe emocionet ndërkombëtare nuk mungojnë me serialin “SAFIR”, çdo mbrëmje në 20:15. Ky serial turk, i nominuar për International Emmy, rrëfen dashuri të ndaluar, sakrificë dhe përplasje familjare, të vizualizuara në pamje mahnitëse të Kapadokias.
Por ditët në vijim do të zbulojnë të tjera formate duke plotësuar në këtë mënyrë mozaikun e programacionit që do të jetë pjesë e ditës suaj.
Tetori rikthen superproduksionin “Albania’s got talent”, një patente rekordesh ndërkombëtare që e vendos këtë spektakël në majën e me te kërkuarve jo vetëm para ekranit por edhe në rrjet.
Sezoni i ri i Vizion Plus sjell një ekran të gjallë dhe të larmishëm, ku çdo shikues gjen diçka për veten: informim, argëtim, sport, ekonomi dhe kulturë, të gjitha në një vend, çdo ditë të javës.





