Senati Amerikan ka miratuar për herë të parë në më shumë se tre dekada, projektligjin për reformimin e sistemit të taksave në SHBA, duke i dhënë kështu Donald Trump, fitoren më të madhe legjislative deri më tani.

 

Miratimi i projektligjit nga senati me 51 vota pro dhe 48 kundër, erdhi vetëm disa orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e përbërë nga shumica republikane, i dha dritën jeshile draftit.

 

Tashmë, sipas procedurës, projektligji pritet të shkojë edhe një herë në Dhomën e Përfaqësuesve për aprovimin final.

 

Projektligji i Trump është kundërshtuar ashpër nga kritikët, pasi sipas tyre, ligji i ri i lejon të pasurit të paguajnë më pak taksa, duke reduktuar në mënyrë të përhershme nivelin e detyrimeve për korporatat dhe individët nga 35 në 21%.

 

Sipas tyre, kjo është një dhuratë për super të pasurit.

 

Republikanët këmbëngulin se ulja e taksave për korporatat, bizneset e vogla e individët, do të nxisë rritjen ekonomike, hapjen e vendeve të reja të punës, paga më të larta dhe investimet, pasi pakëson sasinë e të ardhurave të taksueshme.

 

Sipas tyre, reforma e taksave do t’i ndihmojë të gjithë,  pasi heq barrën e detyrimeve për shumë familje. Por, ende nuk është e qartë se sa do të ndihmojë kjo gjë tek klasa e mesme.

 

Miratimi i këtij projektligji u prit me protesta në galerinë publike të Senatit, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të sigurisë.

 

Nga ana tjetër, demokratët paralajmërojnë se republikanët se do ta paguajnë shtrenjtë legjislacionin sipas tyre, të tmerrshëm, në zgjedhjet e mesit të mandatit, vitin e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *