Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e konsideron situatën ende të pasigurt, edhe pse inflacioni është në trajektore rënëse.

 

Gjatë Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Sejko ngriti shqetësimin se në inflacion po ndikon edhe rritja e lartë e pagave, ndërsa çmimet i janë rikthyer rritjes.

 

“Ekonomia globale, deri më sot, ka treguar një rezistencë të admirueshme ndaj goditjeve të forta të pavaforshme të gjeneruara fillimisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Efektet e zgajtura të këtij agresioni çuan në presione inflacioniste të përshpejtuara, ndërsa nxitën një shtrëngim të shpejtë të politikës monetare, e cila, nga ana tjetër, çoi në një rritje ekonomikë të ndrydhur, ndërsa u ekspozuan apo përkeqësuan dobësitë ekzistuese. Inflacioni global ka pasur një prirje rënëse gjatë tremujorëve të fundit. Megjithatë, e ardhmja mbetet e pasigurt. Ndërsa cikli shtrëngues i politikës monetare duket se po i afrohet kulmit të tij, normat e inflacionit bazë mbeten vazhdimisht të larta, tregjet e punës janë të shtrënguara, rritja e pagave është jashtëzakonisht e lartë dhe ka një ritëm të ri në rritje të çmimeve të mallrave kryesorë. Nga ana tjetër, rritja ekonomike globale mbetet e ndrydhur dhe e pabarabartë në të gjitha vendet. Për më tepër, qëndrueshmëria ekonomike dhe sociale ndaj goditjeve të tjera është ulur në mënyrë të konsiderueshme. Kjo panoramë e ndërlikuar kërkon ndjekjen e një akti delikat balancues nga politikë-bërësit ekonomikë, veçanërisht nga bankat qendrore”, tha Sejko.

 

Për Guvernatorin, përparësi ka stabiliteti i çmimeve, me qëllim që deri në mesin e vitit 2024, inflacioni të kthehet në objektivin prej 3%.

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Ndërkombëtar Monetar Financiar të FMN-së konstatohet se: Ekonomia globale u shfaq rezistente, sipas perspektivës së rritjes globale 2023, e cila u rishikua disi në pranverën e kaluar. Por rimëkëmbja ka qenë e pabarabartë, pasi veprimtaria ekonomike në shumë vende mbetet mjaft poshtë tendencave të parapandemisë, ndërsa divergjencat midis vendeve po vijnë duke u rritur. Projeksionet afatmesme të rritjes globale mbeten të dobëta. Inflacioni i përgjithshëm global ka rënë, ndonëse në disa vende mbetet shumë lart mbi objektivin. Inflacioni bazë ka rezultuar më i qëndrueshëm sesa parashikimi. Falë veprimeve këmbëngulëse të ndërmarra në fillim të vitit 2023 për të frenuar turbulencat financiare, rreziqet afatshkurtra janë më të balancuara, por mbeten në kahun e poshtëm. Lufta në Ukrainë, dobësitë në rritje të borxhit, shtrëngimi i kushteve financiare, goditjet e shtuara klimatike, pabarazia në rritje, refugjatët e popullsia e shpërngulur, pasiguria ushqimore, si dhe rreziku i fragmentimit mbeten shqetësime për ekonominë globale, duke ndikuar më së shumti vendet e shtresat e popullsisë më në nevojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *