Së paku nëntë njerëz, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur dhe rreth 50 të tjerë janë lënduar, si pasojë e shembjes së pjesë të skenës në një tubim elektoral në shtetin verior të Meksikës, Nuevo Leon, tha guvernatori lokal, Samuel Garcia.

Incidenti ndodhi derisa kandidati presidencial, Jorge Alvarez Maynez, po mbante fjalim në qytetin San Pedro Garza Garcia.

Shumica e të lënduarve janë duke u mjekuar në qendrat mjekësore lokale, tha Instituti i Sigurisë Sociale i Meksikës.

Alvarez Maynez, nga partia e qendrës Lëvizja Qytetare, tha se skena u shemb për shkak të një ere të fuqishme.

“Unë nuk kam përjetuar diçka kaq papritmas asnjëherë”, tha Alvarez Maynez për gazetarë, duke iu referuar shpejtësisë së erës para shembjes së skenës.

Alvarez Maynez, i cili u kthye në vendin e ngjarjes pasi u kontrollua në spitalin lokal, tha se do ta pezullojë fushatën zgjedhore dhe se shpreson se autoritetet do të hetojnë çfarë ka ndodhur.

Koordinatorja e fushatës së Alvarez Maynez, Laura Ballesteros, e theu këmbën gjatë incidentit, njoftoi partia.

Pjesëtarët e gardës kombëtare të Meksikës dhe ushtria dolën në vendin e ngjarjes për të ofruar mbështetje, tha ministrja e Brendshme Luisa Alcalde, në rrjetet sociale.

Guvernatori Garcia i paralajmëroi qytetarët të qëndrojnë brenda për shkak të stuhive të fuqishme në këtë zonë.

Zgjedhjet presidenciale në Meksikë do të mbahen më 2 qershor, ndërsa Alvarez Mayez është i treti në garë, sipas sondazheve.

Ai ngel shumë mbrapa kandidates së partisë në pushtet, Claudia Sheinbanum dhe vendit të dytë, Xochitl Galvez, e cila e përfaqëson një koalicion të gjerë opozitar. /REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *