Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, rreshtoi problematikat me të cilat haset sot drejtësia, në ditën dedikuar vetë asaj.

Megjithë përmirësimin e sistemit aktual gjyqësor, sërish ka vend për të bërë më mirë. Sadushi tha se në këtë moment gjyqësori “lëngon” për burime njerëzore.

Megjithëse Gjykata e Lartë ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës post-reformë, falë punës dhe angazhimit maksimal të gjyqtarëve dhe stafit administrativ, por edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor që ka plotësuar numrin e gjyqtarëve, ajo vijon të ketë pamjaftueshmëri të burimeve njerëzore, materiale dhe financiare. Në fakt, kjo është situata në të gjitha gjykatat e Republikës, që do ta konsideroja problematike, në mos edhe kritike”, tha Sadushi.

Kreu i Gjykatës së Lartë u tregua i ashpër me qeverinë e gjyqësorit, për mospërmbushje të detyrimeve që i takojnë.

Përgjegjësia rëndon mbi të gjithë Ne gjyqtarët e Republikës, ashtu, si edhe mbi Këshillin e Lartë Gjyqësor, që nëpërmjet reagimit institucional dhe legjitimitetit të vendimmarrjes duhet t´i dëshmojmë ekzekutivit dhe legjislativit se sistemi i drejtësisë nuk zgjat dorën për lëmoshë, por kërkon prej tyre përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e ligjore, në funksion të parimeve dhe vlerave, mbi të cilat vepron një shtet i së drejtës”, u shpreh Sadushi.

Më tej Sadushi nënvizoi se sistemi gjyqësor është i përmbytur nga dosjet, ç’ka u vështirëson qytetarëve marrjen e drejtësisë.

Anëtarët e KLGJ, të cilëve duhet tu rikujtojmë se janë zgjedhur për të ushtruar këtë funksion me kohë të plotë, duhet të rritin maksimalisht tempin e punës, ashtu si kolegët e tyre gjyqtarë, që për shkak të mbingarkesës kanë humbur nocionin e ditëve të pushimit ditor e javor. Nevojat që ka sistemi i drejtësisë nuk janë vetëm të gjyqtarëve, por ato shkojnë në drejtim të shërbimit që u jepet qytetarëve. Ne jemi të vetëdijshëm se një pjesë e çështjeve kërkojnë veprime konkrete nga ekzekutivi e legjislativi, por nëse nuk ka një presion të fortë dhe të vazhdueshëm nga gjyqtarët dhe nëpërmjet nesh nga KLGJ, edhe administrimi i drejtësisë nuk do ketë performancën që nevojitet. Kjo e bën të domosdoshme nevojën e gjykatave për mirëmenaxhim, që nuk mund t’ia japin gjyqtarët e mbingarkuar me një vëllim çështjesh në rritje drastike. Ne kemi nevojë për një trupë administratorësh të aftë për të menaxhuar dhe drejtuar, në mënyrë që gjyqtarët të përqendrohen në detyrën parësore, të gjykuarit. Gjykatat nuk mund të kryejnë siç duhet misionin e tyre, nëse struktura, qeverisja, vizioni strategjik, programet dhe veprimet që ndërmerren, nuk krijojnë një perceptim të merituar në publik se gjyqësor është i përgjegjshëm”, u shpreh Sadushi.

Sadushi rikujtoi ngërçin e Apelit të Përgjithshëm, të cilit i duhet një organikë prej 78 gjyqtarësh, ndërkohë që rezulton me vetëm 26 gjyqtarë, ose 30% e kapacitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *