Shqipëria kohët e fundit po përballet me fluksin në rritje të emigrantëve ilegalë.
Referuar statistikave përgjatë 2018 deri në 2023 janë regjistruar afro 44 mijë hyrje të parregullta, emigrantë kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe nga Afrika e Veriut.
Nisur nga këto problematika, në Tiranë u prezantua projekti “EU 4 Migration”i cili synon rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e sigurisë kufitare.
Kreu i delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato theksoi se ky projekt është një nga pikat kyçe në procesin e integrimit në BE.
“Ky projekt do të ndihmojë gjithashtu në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për të shënuar përparim në procesin e anëtarësimit. Është e rëndësishme që aktivitetet e këtij projekti të marrin përparësi. Mbështesim objektivat specifike që burojnë nga negociatat e anëtarësimit, në mënyrë që të arrihet progres urgjent”, tha Gonzato.
Nga ana tjetër zv.ministri i Brendshëm u ndal në pikat ku do fokusohet ky projekt.
“Fokusi do të jetë të ngritja e kapaciteteve operacionale për flukset emigratore, zhvillimin e mekanizmave të koordinuar për parandalimin në raste të rritje të flukseve. Ky projekt do të kontribuojë edhe në rritjen e kapaciteteve që lidhet me luftën kundër kontrabandimit të emigrantëve”, tha Besfort Lamallar, zv. ministri i Brendshëm.
Ndërkohë për parandalimin e kalimit illegal të kufirit, Shqipëria vijon bashkëpunimin me FRONTEX, por me situatat për shkak të luftërave në Lindjen e Mesme kjo mund të ndikojë në rritjen e fluksit te emigrantëve drejt Shqipërisë, që kryesisht e përdorin si korridor për të kaluar drejt Europës.
/vizionplus.tv





