Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume nuk beson se në një qark të caktuar mund të ketë rivotime, siç kërkon opozita.

 

Në një intervistë për emisionin “7 pa 5” në “Vizion Plus”, me gazetarin Thimi Samarxhiu, eksperti për çështjet zgjedhore tha se vendimmarrjet e KAS nuk hapin rrugë për diçka të tillë.

 

Ai kritikoi verdiktin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, që refuzoi kërkesën e opozitës për të marrë prova për blerjen e votës nga institucionet.

 

“Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar akoma, përfundon kur të shpallet rezultati i zgjedhjeve nga KQZ. Mënyra sesi po reagojnë subjektet politike, është për t’u përshëndetur sepse po zbatojnë kërkesat e ligjit zgjedhor. Ankimi është një nga momentet më të rëndësishme të procesit. Nuk jam shpresëplotë se mund të shkojë procesi deri në shpalljen e pavlefshmërisë në një njësi zgjedhore, në një qark, dhe më pas të zhvillohen zgjedhjet në të. Edhe arsyet që janë parashtruar në këtë ankimim për t’u trajtuar si të tilla, ka pak gjasa që të trajtohen nga KAS. Në ankimet e PD theksohet se kanë fakte, por nuk kanë prova. Të kërkosh prova jashtë KQZ, nuk është një e drejtë që plotësohet automatikisht. Mund të realizohet vetëm si rezultat i një vendimmarrjeje. Pritej të ndodhte një gjë e tillë. Edhe kësaj radhe, KQZ është ndërtuar mbi bazën e parimit të përfaqësimit politik. Komisionerët janë si rezultat i vullnetit të shprehur të partive politike, zor se mund të ishin dakord. Provat janë shumë të zorshme të sigurohen dhe prandaj KAS duhet të kishte marrë një vendim pozitiv për t’i kërkuar nga institucionet.”

 

KAS pranoi disa ditë më parë kërkesën e LSI-së, për të hapur 24 kuti të materialeve zgjedhore në qarkun e Beratit. Po ashtu, u rrëzua kërkesa e PD-së, e cila kërkonte që të merreshin në konsideratë provat shtesë nga institucionet shëndetësore dhe organet ligjzbatues, si SPAK dhe prokuroria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *