Pasi kanë festuar festat me familjarët e tyre, ka nisur kthimi i shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi
Gjatë orëve të pasdites, fluksi i lëvizjeve në Kapshticë ka qenë i madh, aq sa pala shqiptare punon në dalje drejt vendit fqinj me 5 sportele, dy prej të cilëve për mjetet e tonazhit të rëndë, ndërsa në hyrje me 2 sportele.
Përfaqësues të stacionit të policisë kufitare në Kapshticë i kanë kërkuar palës greke të shtojnë edhe një sportel me qëllim përpunimin sa më shpejt të jetë e mundur të kontrolleve policore në të dy anët e kufirit.
Edhe për autoritetet tona kufitare ky fluks është i pritshëm pasi hyrjet për festat e fundvitit kanë qenë të mëdha nga Greqia në drejtim të Shqipërisë.
Gjithashtu, policia jonë kufitare u kërkon shtetasve shqiptarë të mos lënë ditët e fundit për rikthimin e tyre në vendet e punës, por të shpejtojnë për të shfrytëzuar gjithë orarin e mundshëm të ditës për të shmangur në maksimum radhët e gjata.
/vizionplus.tv




