“Duam më shumë njerëz të pasur”, Rama prezanton Paketën Fiskale: Ulet TVSH për ushqimet, taksa për ata që jetojnë me “followers”! Taksë edhe për vilat në bregdet e apartamentet bosh

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet e planifikuara në paketën e re fiskale, duke njoftuar një sërë masash që prekin familjet, bizneset dhe pronarët e pasurive të paluajtshme.
Ndër risitë kryesore është ulja e TVSH-së për 54 produkte ushqimore bazë nga 20% në 6%, për të cilën Rama tha se do t’u lërë familjeve shqiptare rreth 150 milionë euro në vit.
Kryeministri njoftoi gjithashtu ndryshime në tatimin mbi pagat, taksimin e dividentit, biznesin e vogël dhe sektorin e hotelerisë, si dhe taksa të reja për apartamentet bosh, vilat në bregdet dhe makinat luksoze.
Në paketën e prezantuar përfshihet edhe heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës, me synimin për ta ulur atë me 32 lekë për litër në pompë, ndërsa taksimi do të zhvendoset te automjetet.
Rama: Ne duam më shumë biznese, kompani, sa më shumë njerëz të pasur në Shqipëri. Problemi nuk janë asnjëherë të pasurit, por hendeku mes atyre që kanë shumë dhe atyre që kanë shumë pak. Prandaj ne mbetemi partizanë të taksimit të ndershëm, kush merr më shumë paguan më shumë dhe jemi këtu për të zbutur hendeqet sociale që krijon transformimi ekonomik.
Lajmi i parë në radhën e lajmeve të mira që kam sot për familjet është se falë rritjes së ekonomisë jemi gati për të hedhur një hap të shumëpritur, ulim normën e TVSH për ushqimet bazë, nga 20% në 6 % për 54 produkte. Vetëm me këtë lëvizje ne shtojmë në arkën e familjeve shqipotare rreth 150 mln euro në vit që deri sot i kalonin shtetit. Praktika e re e pasqyrës së çmimeve do të zgjerohet.
Nuk rrisim normën e tatim fitimit të sipërmarrjes, e cila mbetet 15%. Ne i tatojmë të mëdhenjtë me normën më të lartë në Ballkanin Perëndimor prej më shumë se 10 vitesh, por sot rrisim në normën më të lartë që ka rajoni edhe tatimin mbi dividentin e tyre, i cili i ngarkon biznesmenët e mëdhënj me një takse më të ndershme mbi fitimin e tyre.
Ulim barrën tatimore. Janë 32 mijë tatim pagues, që e kërkojnë prej kohësh këtë lëvizje. Rritjen e pragut të sipërm të tatimit mbi pagën nga 200 mijë në 300 mijë lekë të reja. Sot rrija e ekonomisë na jep mundësinë.
Vendosim një prag të ri tatimi mbi pagën 700 mijë lekë të reja, ku norma e tatimit bëhet 30%.
Ulim pragun e aplikimit të TVSH për çdo biznes me xhiro vjetore mbi 5 mln lekë, pasi nuk mund të lejojmë që shumë biznese të vogla të abuzohen duke i shërbyer si guacka bizneseve të mëdha për t’u fshehur.
Qëndron i paprekur zotimi ynë, taksa zero mbi fitimin për të gjithë biznesin e vogël deri në 2029.
Rrisim normën e TVSH në hoteleri nga 6% në 10%.
Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi e ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë mirë me like dhe followers. Po përgatitet një projekt i veçantë nga ministria e Financave.
Një super taksë prone për ata që blejnë dhe mbajnë apartamente bosh. Duhet të paguajnë siç bëjnë në vendet e tjera të Evropës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve. Një super taksë prone për vilat në bregdet. Edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave. Në këtë paketë fiskale do të ketë dhe në super taksë për makinat e luksit.
Pranë Ministrisë së Financave do të krijohet Byroja e Kontrollit të Specializuar të të ardhurave. Formulari i deklarimit të të ardhurave do të ndryshojë sipas modelit të vendeve të BE.
Do të heqim taskën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim 32 lekë në pompë çmimin e naftës. Taksën do ta vendosim te makina. Nga ana tjetër do të vendosim një taksë të re qarkullimi për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Shqipërisë.




