Policia e Shtetit ka ushtruar mbreme kontrolle të befasishme në Durrës, Lezhë, Mamurras e Elbasan.

Kontrollet sidomos me angazhimin e RENEA-s jane kryer për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë apo të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale kundër personit dhe pronës.

Janë ushtruar kontrolle në lokale, banesa, ambiente të ndryshme dhe vende të dyshuara për fshehje apo përdorim të lëndëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar armë, municion luftarak, drogë, është vënë në pranga një person në kërkim me rrezikshmëri shoqërore, si dhe është goditur një rast i ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit të lojërave të fatit etj.

Në Durrës, gjatë kontrollit në lagjen nr.14, Shkozet, është arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje, shtetasi Dashamir Tafili, 38 vjeç, banues në Shkallnur, Durrës, si dhe u procedua penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasi E. D., 43 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i shtetasit Dashamir Tahiri. është bërë pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij “Range Rover”, para lokalit të shtetasit Elvis Doci, në kroskot është gjetur një armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me 13 fishekë. Në vijim të kontrolleve, në lokalin në përdorim të shtetasit Elvis Doci., janë gjetur çipsa dhe letra bixhozi.

Gjithashtu, po gjatë kontrolleve në Durrës, është arrestuar në flagrancë shtetasi Lorenc Habilaj., 24 vjeç, banues në Durrës, shpërndarës i lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi dozash lëndë narkotike dhe një peshore elektronike, ndërsa në banesë iu gjet një sasi fishekësh.

Në Mamurras, gjatë kontrolleve të befasishme është kapur dhe ndaluar nga RENEA, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasi Astrit Seferi 36 vjeç, autor i plagosjes së 4-fishtë në 2017, i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurimit personal ‘’Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’’, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në vitin 2017, në Laprakë, në bashkëpunim dhe me vëllain e tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri 4 shtetas.

Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë, 21 persona me precedent të mëparshëm penal, të cilët ishin pa dokument identifikimi me vete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *