Dërgimi i 30 mjekëve shqiptarë në Itali për të luftuar koronavirusin bëri bujë të madhe në shtetin fqinj. Kryeministri Edi Rama dha një intervistë online në “Rai 3” këtë të martë, ku tregoi më në detaje pse e mori këtë vendim. Ai tha se ideja i lindi natyrshëm.

 

“Ideja më erdhi shumë natyrshëm sepse shikoja çdo ditë atë që ndodhte në Itali, numrin e madh të të vdekurve dhe situatën e rëndë.Ishte një ide që unë kam folur me Luigi Di Maion, ai më tha që do të ishte fantastike. Më pas bëmë disa telefonata sepse kishim disa dyshime se disa mjekë a infermierë nuk do të donin të shkonin në mes të luftës. Por ata të gjithë pranuan.”

 

Sipas Ramës, nuk mund të tregohet indiferencë ndaj Italisë pasi ajo shtëpia e dytë e shqiptarëve.

 

“Italia na ka qëndruar pranë në momente të vështira, është në një farë mënyre atdheu ynë pasi aty punojnë e jetojnë plot dinjitet qindra e mijëra shqiptarë. Ndoshta sepse nuk jemi të pasur, nuk jemi as me memorie të shkurtër. Bota duhet të jetë e bashkuar në këtë luftë. Nuk duhet të shohim të digjet një dhomë dhe të mendojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë pasi kështu e lëmë të digjet e gjithë shtëpia.”

 

Ai deklaroi se situata në Shqipëri nuk është aq e rëndë sa në Itali sepse këtu u morën masa drastike menjëherë, duke qenë se u kuptua rreziku. Në këtë pikë, Rama bëri një krahasim me trajnerin Jose Murinjo.

 

“Ne e nuhatëm shpejt rrezikun që po na afrohej dhe duke qëne se nuk jemi vend me kapacitete të mëdha, morëm menjëherë masa të forta. Pra vendosëm menjëherë autobusin para porte sic bënte Murinjo. Deri tani kemi shifra inkurajuese dhe një kurbë jo me rritje të madhe. Masat që kemi marrë duket se kanë dhënë rezultate.”

 

Kreu i qeverisë kritikoi edhe qëndrimin e mbajtur nga Bashkimi Evropian.

 

“Europa dhe BE nuk mund t’i thotë vendeve që duhet t’ia dilni vetë. Kjo është e papranueshme. Kjo luftë nuk fitohet vetëm duke u mbyllur brenda por edhe duke u hedhur në kundërsulm, e kanë fjalën këtu për shtetet, jo për qytetarët.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *