Kryeministri Edi Rama deklaroi para grupit parlamentar të PS-së se nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin këtë të diel, socialistët do të merrnin më pak vota, pasi qytetarët kërkojnë shumë më shumë.

Nga ana tjetër, ai nuk la pa përmendur edhe kundërshtarët e tij politikë, për të cilët u shpreh se do siguronin më pak vota se 3 vite më parë.

“Nuk dyshoj se nëse do të votohej këtë të diel do të fitonim zgjedhjet. Por s’besoj se do fitonim të gjitha zemrat e atyre që na kanë votuar, apo s’na kanë votuar dhe as do e votojnë atë forcë apo grup forcash që na kanë përballë. Këtë të diel do merrnim më pak vota se sa do meritojmë. Populli pret shumë më shumë nga ne, dhe asgjë nga ata. Dhe kanë të drejtë.”

Po ashtu, ai paralajmëroi të gjithë socialistët se nuk do të jenë pjesë e zgjedhjeve të 2021, nëse nuk reflektojnë dhe japin gjithçka duhet.

Për Ramën, të gjithë mund të kenë potencialin për të qenë pjesë e skuadrës më 2021, por askush nuk e ka sot të garantuar këtë vend.

“Kur unë pres më shumë nga vetja dhe nga ju, imagjinoni dikush që nuk ka as ngenë dhe as arsyen që të justifikojë mungesën e gjërave që pret apo të shohë të njëjtën vëmendje për të parë me lupë çfarë ne kemi bërë dhe të arsyetojë pse nuk bënim dot më shumë. Ne kemi mjaftueshëm kohë për të përmbushur pritshmëritë. Kemi mjaftueshëm kohë për ta ristartuar kompjuterit për procesin e rikrijimit të skuadrës fituese. Troç farë, deputetë jemi në sallën e kuvendit, ndërsa jashtë saj nga sot jemi kandidatë për deputetë. Kush nuk do të japë jo thjesht gjithçka ka, por gjithçka duhet, nuk do të jenë në atë formacion e ardhshëm.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *