Pse na vjen turp të kërkojmë ndihmë? Juristja: Çiftet shpenzojnë para në udhëtime, por nuk investojnë në terapinë në çift
Pse e kemi më të lehtë të themi “jam mirë” sesa të pranojmë se po kalojmë një periudhë të vështirë? Pse hezitojmë të kërkojmë ndihmë profesionale dhe kemi frikë se si do të na shohin të tjerët? Këto ishin disa nga çështjet e diskutuara në emisionin “Takohemi n’Vizion”, me moderatoren Fjodora Fjora, ku në studio u zhvillua një bisedë mbi turpin, paragjykimin dhe pengesat që i mbajnë njerëzit të heshtur përballë vështirësive emocionale.
Të ftuara në panel ishin Klaudia Hasanllari, drejtoreshë e Qendrës për Parandalimin e Krimeve për të Mitur dhe të Rinj, juristja Megi Korbi, organizatorja e eventeve Argita Kala dhe psikologia Izolda Canka. Përmes përvojave personale dhe profesionale, ato sollën këndvështrime të ndryshme mbi mënyrën se si shoqëria shqiptare e percepton kërkimin e ndihmës dhe shëndetin mendor.
Psikologia Izolda Canka shpjegoi se një nga pengesat kryesore është frika për të humbur imazhin e njeriut të fortë që kemi krijuar në sytë e të tjerëve. Sipas saj, edukimi që marrim që në fëmijëri, me mesazhe si “mos qaj” apo “bëhu i fortë”, ndikon në mënyrën se si i shprehim emocionet.
“Frika se mos humbas imazhin që kam krijuar deri tani tek të afërmit, tek komuniteti e tek njerëzit e punës”, u shpreh Canka, duke theksuar se turpi shpesh i shtyn njerëzit drejt vetëizolimit dhe fshehjes së problemeve.
Një rrëfim personal solli edhe organizatorja e eventeve Argita Kala, e cila zbuloi se prej kohësh po përballet me depresionin dhe është në trajtim. Ajo tregoi se e kishte pasur shumë të vështirë të pranonte se kishte nevojë për ndihmë, derisa arriti në një pikë ku nuk mund ta përballonte më e vetme situatën.
“Kam vuajtur dhe akoma kurohem për depresion. Ka qenë shumë e vështirë për mua të pranoja fillimisht që kam një problem, që kam nevojë të kurohem dhe kam nevojë për ndihmë të specializuar”, rrëfeu Kala. Ajo theksoi se mbështetja e familjes, motrës dhe dy mikeshave të saj të ngushta ishte vendimtare për të kërkuar ndihmë profesionale.
Nga ana e saj, Klaudia Hasanllari u ndal te rëndësia e edukimit emocional dhe krijimit të një mjedisi ku të rinjtë të ndihen të sigurt për të shprehur shqetësimet e tyre. Duke folur për përvojën në punën me të rinjtë dhe grupet vulnerabël, ajo vuri në dukje se brezi i ri po tregon më shumë ndërgjegjësim për shëndetin emocional dhe po kërkon gjithnjë e më shumë mbështetje psikologjike.
“Ne duhet t’i bëjmë të rinjtë tanë të ndihen të sigurt se ajo që do të thuhet do të dëgjohet, do të marrë vëmendjen e duhur dhe do të trajtohet në formën e duhur”, deklaroi Hasanllari.
Juristja Megi Korbi solli në vëmendje pasojat që mund të ketë mungesa e mbështetjes emocionale në familje, duke u ndalur edhe te rastet që përfundojnë në dyert e gjykatave. Ajo theksoi se shumë familje investojnë në udhëtime dhe blerje për të përmirësuar marrëdhëniet, por shmangin terapinë në çift apo ndihmën profesionale për të zgjidhur problemet që kanë në themel.
“Çifte që kanë investuar pafund në udhëtime e blerje luksoze, por problemin shpirtëror nuk e kanë ndihmuar aspak me komunikim”, u shpreh Korbi.
Gjatë diskutimit u trajtua edhe rëndësia e të dëgjuarit pa paragjykim. Psikologia Canka nënvizoi se personat që kërkojnë ndihmë nuk kanë gjithmonë nevojë për këshilla apo zgjidhje të menjëhershme, por mbi të gjitha për dikë që t’i dëgjojë dhe t’i kuptojë.
Në përfundim, të ftuarat përcollën mesazhin se pranimi i vështirësive emocionale dhe kërkimi i ndihmës profesionale nuk janë shenjë dobësie. Përkundrazi, të flasësh për atë që po përjeton dhe të kërkosh mbështetje në kohë është një hap i rëndësishëm drejt kujdesit për veten dhe shëndetin mendor.
/vizionplus.tv




