Shefi i Sektorit për Sigurinë Rrugore, Skënder Ismaili ka dalë në një deklaratë për mediat pasditen e kësaj të premtje në lidhje me masat e Policisë Rrugore.

 

Në fjalën e tij para mediave Ismaili, është shprehur se përgjatë 8 mujorit të këtij viti, në vendin tonë janë shënuar 133 aksidente më pak si dhe 6 jetë më shumë të shpëtuara në raport me vitin e kaluar.

 

Ndërkohë që përgjatë këtij 8 mujori janë 20 000 gjoba më pak se në vitin 2018. Për sa i përket muajve të verës, Shefi i Sektorit për Sigurinë Rrugore ka deklaruar se janë 57 aksidente më pak, 4 të vrarë më pak dhe 18 të plagosur rëndë dhe 28 të plagosur lehtë më pak, se e njëjta periudhë e vitit 2018.

 

“Si rezultat i angazhimit të shërbimeve të Policisë Rrugore, por dhe bashkëpunimit dhe rakordimit të veprimeve me Patrullat e Përgjithshme dhe shërbimet e tjera të angazhuara në terren dhe veçanërisht për sezonin turistik, është bërë e mundur që për periudhën 8 mujore, janar – gusht 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, të kemi 133 aksidente më pak, 6 jetë më shumë të shpëtuara, 43 të plagosur rëndë dhe 80 të plagosur lehtë më pak.

Duke krahasuar periudhat tremujore të sezonit turistik 2018 dhe të vitit 2019, për periudhën qershor – korrik – gusht 2019, janë 57 aksidente më pak, 4 të vrarë më pak dhe 18 të plagosur rëndë dhe 28 të plagosur lehtë më pak, se e njëjta periudhë e vitit 2018.

Shërbimi i Policisë Rrugore konstaton se ka ndërgjegjësim dhe sjellje më korrekte të drejtuesve të mjeteve gjatë drejtimit të mjetit, por vazhdon të mbetet shqetësues drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit, tejkalimi i shpejtësisë, drejtimi i mjeteve nga drejtues të papajisur me leje drejtimi, mospërdorimi i kaskave mbrojtëse nga drejtues motomjetesh dhe përdorimi i celularëve gjatë drejtimit të mjeteve.

Mosrespektimi i sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal vazhdon të “prodhojë” masa administrative për këtë shkelje, kryesisht brenda qendrave të banuara.

Me synimin e vetëm parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së shtetasve për këtë periudhë janë marrë këto masa administrative nga shërbimi i Policisë Rrugore:

  • Janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur 847 shtetas;
  • Janë arrestuar për drejtim mjeti pa leje drejtimi 840 shtetas;
  • Janë pezulluar 4 538 leje drejtimi për tejkalim shpejtësie, 1 862 për përdorim të alkoolit dhe 1 774 për shkelje të ndryshme;
  • Janë ndëshkuar për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit 39 552 drejtues mjetesh;
  • Janë vendosur 52 271 masa administrative për drejtues mjetesh për parakalime të gabuara dhe mosrespektim të mjeteve në kolonën drejtuese;
  • Janë ndëshkuar 5 400 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;

Duke krahasuar periudhat 8 mujore janë vendosur rreth 20 000 masa administrative më pak se e njëjta periudhë 8 mujore e vitit 2018, çka tregon më shumë ndërgjegjësim nga drejtuesit e mjeteve në rrugë në drejtim të zbatimit të rregullave dhe normave të Kodit Rrugor.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *