Qëllimi i qeverisë nëpërmjet nismës për të nxitur investimet në zonat malore vlerësohet si pozitive nga ana e ekspertëve.
Por paralelisht nuk mungojnë edhe pikëpyetje lidhur me impaktin që ajo do të ketë në praktikë.
Armand Hasko, kontabilist, thotë se nisma ofron lehtësira fiskale për investuesit dhe kjo mund të nxisë aplikimet. Por investime të tilla kanë disa kosto të fshehura.
“Në mendimin tim, investimet në zonat malore kanë kosto të shtuara, krahasuar me zonat urbane. Eksperienca ka treguar se në këto zona jo gjithmonë infrastruktura është ajo që kërkon një investitor. Cilësia e furnizimit me energji elektrike nuk është në nivelin e duhur, ndaj duhet të plotësohet me kosto shtesë nga investitori. Edhe furnizimi me ujë kërkon investime shtesë. Infrastruktura rrugore gjithashtu lë për të dëshiruar. Mjaftojnë këto kosto për të vënë në pikëpyetje efektivitetin real të investimeve të tilla”, tha Hasko gjatë një interviste në “E-ZONE”.
Por edhe pse Ministria e Financave ka miratuar “Strategjinë afatmesme të mbledhje së të ardhurave”, ku parashikon heqjen e përjashtimeve fiskale në disa sektorë, sërish qeveria miraton nisma me favorizime fiskale. Në “Paketën e maleve” investitori përjashtohet nga katër taksa.
“Ky fakt krijon pabarazi në treg. Është njësoj si nisma për hotelet me pesë yje. Pse një hotel i tillë përjashtohet nga taksat dhe një tjetër me tre yje paguan të gjitha taksat”, tha Hasko.
Në ankesat e biznesit barra e taksave nuk konsiderohet shqetësuese. Sipas sipërmarrësve shqetësim mbeten burokracitë shtetërore, korrupsioni si dhe marrëdhënia me zyrat e pronave./vizionplus.tv