Shqipëria është renditur e 80-ta në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2025 të publikuar nga organizata “Reporterët pa Kufij” ,duke shënuar një përmirësim prej 19 vendesh krahasuar me një vit më parë, kur renditej e 99-ta nga 180 vende.
Pavarësisht faktit se Kushtetuta dhe angazhimet ndërkombëtare garantojnë lirinë e shprehjes, raporti nxjerr në pah mangësitë në mbrojtjen e burimeve konfidenciale të gazetarëve dhe thekson rrezikun e lartë për ata që hetojnë krimin dhe korrupsionin.
“Gazetarët që raportojnë për protesta ose operacione policore shpesh përballen me dhunë nga autoritetet”, thuhet në raport, duke shtuar se krimi i organizuar përbën një nga kërcënimet më serioze për sigurinë e gazetarëve në vend.
Në të kundërt, Kosova ka shënuar një rënie të ndjeshme në indeks, duke rënë në vendin e 99-të – poshtë Shqipërisë – nga vendi i 75-të vitin e kaluar. Kjo është rënia më e madhe për këtë vend në 15 vitet e fundit.
“Përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, disa media private u shënjestruan nga një bojkot nga qeveria, i cili kërcënoi gjithashtu pavarësinë e transmetuesit publik RTK . Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në aksesin në informacionin publik, veçanërisht në gjuhën e tyre, e cila është ajo e pakicës kushtetuese”, thuhet në raport.
Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet më së miri, në vendin e 37-të, më pas vjen Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta./vizionplus.tv





