Reshjet e dendura të shiut që përfshinë vendin në orët e para të mëngjesit sollën përmbytje në zemër të Durrësit.
Nënkalimi i Velierës, një vepër që ka kushtuar 10 milionë euro, është mbuluar nga uji duke bërë që të paktën 4 makina të bllokohen.
Një qytetar tregon se iu desh të notonte për shkak se automjeti i tij ngeci në rrugë.
“Makina ka ngecur këtu në ujë që në orën 6 pa 20. S’na e mori mendja që kishte kaq shumë ujë se ishte errësirë. Po ikja për në Rinas dhe ngelëm në rrugë. Dolëm me not, morëm taksi”, tha ai.
Sipas bashkisë, situata u krijua për shkak të ndërprerjes së punës në hidrovor pasi ka patur një stakim linja e furnizimit me energji dhe me pas ka pesuar difekt edhe gjeneratori, duke sjellë një situatë kaotike.
Përmbytje rrugësh dhe probleme në qarkullim si pasojë e reshjeve ka pasur edhe në Vlorë.
Zonat më të prekura ishin lagjja “Pavarësia 3”, zona pranë stadiumit “Flamurtari”, Bulevardi Kryesor dhe rruga “Gjergj Arianiti”.
Edhe në Lezhë, kanalizimet nëntokësore nuk e kanë përballuar nivelin e prurjeve dhe ujërat kanë dalë në sipërfaqe, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit 11 Janari të lagjes Besëlidhja./vizionplus.tv





