Mateo Spaho, eksperti i ekonomisë analizoi premtimet që po bëhen në fushatat elektorale nga dy partitë kryesore, PS dhe PD ku në qendër kanë faktorizuar ekonominë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me moderatorin Aleksandër Furxhi, eksperti deklaroi se premtimi i pagës minimale në 500 euro është e realizueshme, duke shtuar se pjesën më të madhe të faturës e paguan biznesi privat.
Sa i përket rritjes së pensioneve, Spaho tha se mund të ndodhë, por duke tatuar të rinjtë, ose ata me moshë të mesme që punojnë.
Ndërkohë premtimin e socialistëve për paqe fiskale me bizneset dhe të demokratëve për rikthim të tatimit të sheshtë 10%, eksperti i ekonomisë i cilësoi si një qasje lehtësuese për bizneset.
Spaho nënvizoi se nëse Shqipëria anëtarësohet në BE, do të kemi ndihma shtesë 3-4 fish më të larta.
Intervista e plotë:
Të dyja partitë premtojnë pension minimal 200 euro, pagë minimale 500 euro. Me syrin e ekspertit, si qëndrojnë këto premtime?
Spaho: Janë dy çështje të ndryshme. Nëse flasim për pagë minimale, ajo është një gjë e realizueshme, por pjesën më të madhe të faturës e paguan biznesi privat. 30% e të punësuarve në sektorin privat janë me pagë minimale. Pra, është një rritje takse në sektorin privat, edhe një mënyrë indirekte për të mbushur të ardhurat në sistemin e pensioneve në skemën e buxhetit të shtetit. Duke shtuar edhe elementin e buxhetit, ku pikërisht këtu fillon problemi. Kur flasim për pensionet, kemi gati 760 mijë të punësuar që derdhin kontribute, por edhe kemi gati 650 mijë pensionistë. Pra, marzhi mes të punësuarve dhe pensionistëve është 1 me 1.1. Sot pensioni është sa 24%, 25% e pagës mesatare. Dhe në të ardhmen pritet që kjo normë të ulet edhe më tej. Mundet të premtohet që do rriten pensionet, por duke tatuar të rinjtë, ose ata me moshë të mesme që punojnë. Duhet të kemi parasysh ku duhet të përkushtohemi, tek mosha e tretë që votojnë, apo tek rinia që jo të gjithë votojnë, por shpresohet që të kenë kushte më të thjeshta për të vijuar jetën e tyre në Shqipëri.
PS po flet për një paqe fiskale me bizneset, PD po i rikthehet tatimit të sheshtë 10%. Çfarë duhet të kuptojmë nga këto dy optika?
Spaho: Janë optika alternative. Nuk kanë për t’u bashkuar kurrë, se kjo është thjesht e djathtë dhe kjo e majtë. Taksa e sheshtë 10% është tipike e forcave të djathta. Sot tatimi për fitim mbi bizneset është 15%, por tatimi mbi bizneset e mëdha është vetëm 8%. Kështu që 10% është një gjë e realizueshme, por që Shqipëria e ka pasur në vitet më parë. Nga ana tjetër, edhe paqja fiskale me biznesin nëse do të provohej, është për t’u përshëndetur. Të dyja janë qasje lehtësuese për bizneset. Biznesi nuk është ankuar për taksat, por për ndryshimet e shpeshta ligjore mbi taksat.
PS po nënvizon përfitimet për ekonominë e Shqipërisë nga anëtarësimi në BE. PD afishon se do të kthejë paratë e vjedhura nga kjo qeveri.
Spaho: Nëse Shqipëria anëtarësohet në BE do të ketë ndihma shtesë, 3-4 fish më të larta. PD, si opozitë, i takon të premtojë një ulje të korrupsionit dhe kthimin e parave mbrapsht. Kthimi i parave mbrapsht deri më tani ka qenë një premtim i rremë. Ndërkohë lufta ndaj korrupsionit është një domosdoshmëri edhe për t’u futur në BE.
/vizionplus.tv





