Ish-depueteti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka vizituar këtë të enjte dy qendra shëndetësore në kryeqytet, teksa monitoron masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë për përballimin e situatës nga koronavirusi.

 

Në një prononcim për mediat, Spahia nënvizoi se autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë shtesë për të përballuar edhe një pacient të dyshuar me virusin e rrezikshëm, ndërsa shtoi se stafi shëndetësor nuk është trajnuar apo informuar mbi koronavirusin.

 

“Pas vizitës tonë në ambientet e brendshme dhe komunikimit me mjekët dhe personelin shëndetësor të kësaj qendre, konstatojmë se deklaratat e kryeministrit dhe të qeveritarëve, jo vetëm që nuk janë të vërteta, por ka mangësi të theksuara në pajisjen e këtyre qendrave me mjetet e duhura për të përballuar këtë situatë tepër shqetësuese. Nga konstatimet tona u vu re se ka mangësi të theksuara në pajisjen me maska mbrojtëse, për të mos folur për mos pasjen e veshjeve të duhura për përballimin e një rasti të dyshuar me corona virus”, deklaroi Spahia pas inspektimit në këto qendra.

 

Sipas Bardh Spahisë, disa shtetasve italianë iu është refezuar kërkesa për të bërë testin, me argumentin se një ekzaminim i tillë bëhet vetëm në ato raste kur temperatura është mbi 38 gradë.

 

“Një përjashtim që reflektohet nga qendra deri në bazë, ndihen jo vetëm të braktisur, por edhe të shkëputur nga strukturat drejtuese të kujdesit shëndetësor. Ajo që na u tha ishte edhe se disa pacientë të ardhur nga Italia kishin kërkuar të bënin testin, por ishin përcjellë duke u thënë që do të bëjmë një ekzaminim të tillë vetëm nëse temperatura kalon 38 gradë”, nënvizoi përfaqësuesi i Grupit të Punës pranë PD-së. 

 

Mes të tjerash, ai tha se ambientet e shërbimit shëndetësor nuk janë dezinfektuar apo sanitarizuar.

 

“Ka mungesë të informacionit dhe trajnimeve, instruktimit të personelit shëndetësor për mënyrën e përballimit të dhe të veprimeve në rast konstatimi të një pacienti të prekur nga corona virusi. Mungesa të cilat pastaj detyrimisht shtrihen përtej personelit mjekësor dhe tek qytetarët shqiptarë. Një tjetër aspekt shqetësues të cilin do të doja ta theksoja sot, ishte edhe mungesa jo vetëm e informacionit, por edhe e dezinfektimit dhe sanitarizimit të ambienteve të këtyre qendrave shëndetësore në të cilat kalon një fluks i madh qytetarësh shqiptarë, shpeshherë me simptoma të ngjashme me ato të corona virusit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *