Partia Demokratike ju përgjigj menjëherë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj pas paralajmërimit të këtij të fundit se do të çojë në gjykatë për shpifje ish-deputeten Grida Duma. Përmes një reagimi për mediat, selia blu tha se nuk frikësohet nga gjyqet sepse kërkon të mbrojë interesin e qytetarëve. Sipas PD, kryeministri Edi Rama dhe Veliaj janë të frikësuar.

 

“Është e qartë: Rama dhe buratini i tij kryesor janë të frikësuar. Ata po përpiqen të mbyllin gojën e kujtdo që thotë të vërtetën. Qëllimi i vetëm i tyre  është të vazhdojnë të qeverisin në kurriz të popullit shqiptar me dështimet e tyre, pa asnjë ndërhyrje. Ne nuk kemi frikë nga asnjë proces gjyqësor që tenton të imponojë heshtjen tonë, pasi jemi këtu vetëm për një qëllim që është interesi publik i shqiptarëve. As Rama, as buratini i tij, askush nuk do të na e mbyllë gojën.”

 

Më herët, Erion Veliaj reagoi pas akuzave të PD se ai ishte i lidhur me mafien italiane “Ndrangheta”, nëpërmjet dhënies së lejeve të ndertimit. Veliaj, përmes zyrës së shtypit të bashkisë deklaroi se lejet e ndërtimit në Tiranë kanë dosje transparente për mënyrën e financimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *