Shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu ka reaguar për planin e qeverisë për dhënien me konçesion të “Pallatit të Brigadave”.

 

Sipas tij, Qeveria “në mënyrë aspak transparente ka vendosur që të kalojë në menaxhim privat, për 20 vjet, një pasuri publike”. Balliu thekson se kjo është një shpikje e Ramës, e cila kënaq egon pseudo-artistike të tij dhe rrethin e ngushtë të përfituesve.

 

Ndër të tjera ai u shpreh se ku ka heshtje ka edhe një hile, dhe asgjë tjetër veç hiles nuk e shpjegon mbajtjen sekret, mos konsultimin, as me ekspertët, dhe as me publikun.

 

“Kompleksi që u ndërtua si rezidencë mbretërore, u shndërrua në Pallat të Brigadave, dhe në fund rezidencë qeveritare, tani do të bëhet “Belvederja e oligarkëve”.

 

Qeveria ka vendosur, në mënyrë aspak transparente, madje sekrete, që të kalojë në menaxhim privat, për 20 vjet, një pasuri publike. Duke imituar, si modelin e koncesionit të Butrintit, ashtu edhe shkeljen dhe paligjshmërinë e tij, qeveria nuk ndalet në marrëzinë për të urryer çdo gjë publike, dhe në babëzinë për të fituar personalisht nga çdo asset i përbashkët kombëtar.

 

Partia Demokratike thekson fort, se nuk ka në botë një model të tillë të leasing-ut të pasurive publike, dhe kjo është një shpikje e Ramës, e cila kënaq egon pseudo-artistike të tij dhe rrethin e ngushtë të përfituesve.

 

Ku ka heshtje ka edhe një hile, dhe asgjë tjetër veç hiles nuk e shpjegon mbajtjen sekret, mos konsultimin, as me ekspertët, dhe as me publikun. Për asete kombëtare duhet konsultim kombëtar. Kryeministri shpall konsulta të rrejshme për de çiftimin e Shqipërisë nga Maqedonia e veriut, vendim në të cilin shqiptarët kanë zero tagër.

 

Kur vjen puna te pasuritë, që janë të tyret, dhe për të cilat u takon mendimi dhe vendimi, ai i shpërndan sipas oreksit dhe në fshehtësi. Partia Demokratike i kërkon publikut të mos bjerë në kurthin e propagandës se “Pallati po hapet për njerëzit”.

Pyetjet janë dhe mbeten:

Pse pa konsultë?

Pse me procedura të fshehta?

Kush do jenë menaxhuesit?

Dhe, a janë të përfshirë ‘të dyshuarit e zakonshëm’ në këtë projekt, që ngjan si asgjë më pak se afera korruptive e radhës”, u shpreh Balliu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *