Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dalë në përfundimin se Arabia Saudite dhe princi i kurorës Mohammed bin Salman, janë përgjegjës për vrasjen makabre të gazetarit Jamal Khashoggi në Ambasadën Saudite në Stamboll vitin e kaluar.

 

Raportuesja e posaçme e OKB-së mbi ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe arbitrare, Agnes Callamard, tha se ka zbuluar prova të besueshme për të hetuar më tej përgjegjësinë individuale të zyrtarëve sauditë në vrasjen e gazetarit, por edhe përfshirjen e princit.

 

Sipas raportit prej 101 faqesh, vrasja e Khashoggit ishte një shkelje e ligjeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ekzekutimi u bë nën urdhrat e princit Mohamed bin Salman, nga njerëz të besuar të tij.

 

Për hetimin e Arabisë Saudite mbi vrasjen, raportuesja del në përfundimin se nuk është kryer ashtu siç duhet, ndaj kjo mund të përbëjë pengimin e drejtësisë .

 

Për gjykimin e 11 të dyshuarve, raporti thekson se duhet të pezullohet për shkak të fshehtësisë që po mbahet rreth dënimit ndaj tyre.

 

Por, më e rëndësishme, thekson raporti, është se deri më tani Arabia Saudite nuk e ka pranuar publikisht përgjegjësinë për vrasjen e Khashoggi dhe as nuk ka kërkuar faljen e familjarëve.

 

Raporti gjithashtu i kërkon Arabisë Saudite t’i kërkojë falje Turqisë për krimin ne territorin e saj, si dhe nxit hetime shtesë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dhe nga FBI.

 

Xhamal Khashoggi u vra dhe trupi i tij u shpërbë 2 tetorin e vitit të kaluar nga një grup sauditë, menjëherë pasi hyri në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

 

Ai konsiderohej një nga kundërshtarët më të ashpër të regjimit saudit, për shkak të shkrimeve kritike që publikonte në gazetat amerikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *