Të dielën, 22 mars, Partia Demokratike mban protestën e radhës para kryeministrisë. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i ftuar në “Live në Mëngjes” në vizion Plus, nën moderimin e Brikena Priftit dhe Florian Agalliut komentoi qëllimet dhe rëndësinë e këtyre protestave.
Ndoka theksoi se protestat nuk kanë si qëllim rrëzimin e menjëhershëm të qeverisë, por janë një pasqyrë e pakënaqësive të qytetarëve dhe e mbështetjes që opozita ka në shoqëri.
Ndoka: Protestat kanë rëndësinë e vet. Opozita shikon edhe veten e saj, sa është mbështetja, a është rritur mbështetja. Çfarë pakënaqësish kanë shqiptarët. Është edhe një pasqyrë për qeverisjen, kryeministrin, mazhorancën, që e kuptojnë se pakënaqësia ndaj qeverisë së tyre po shton përditë numrin e njerëzve që kërkojnë largimin e tij. Nuk pritet që me një protestë do të rrëzohet qeveria. Janë elementë që sensibilizojnë edhe faktorin ndërkombëtar, që “Po, në Shqipëri ka një problem”.
Çdo protestë ka skenarin e vet, agjendën. Me këtë sensibilizim ka lëvizje të faktorit ndërkombëtar, ka kërkesa që i drejtohen Ramës. Edhe partia më e madhe e opozitës me qëndrimet që ka mbajtur ia ka arritur qëllimit. Pesë vende kryesore të BE-së dolën me njoftim shtypi ku shigjetonin rëndë qeverinë. Këto protesta qëllimit më të madh ia kanë arritur. Pastaj, nëse kalohet në një fazë tjetër, protesta mobilizmi do të jetë ndryshe, nuk është puna që rrëzohet qeveria, por mund të bllokohet një qeverisje. 16 vite në pushtet ka kaluar çdo masë. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kjo.
Ndoka gjithashtu komentoi rolin e studentëve në lëvizjet qytetare, duke theksuar se në vendet e zhvilluara ata janë grupi më elitar që paraprin mobilizime për interesin publik, ndërsa në Shqipëri ky rol mungon. Ai përmendi si shembull protestën kundër armëve kimike, e cila arriti të ndikonte drejtpërdrejt tek vendimet e kryeministrit.
Ndoka: Kemi pasur kontakte që në fillimin e protestave me Berishën, kontaktet janë të vazhdueshme. Nuk mendoj që ka ndonjë ndryshim stili, akoma s’është momenti. Ne i kemi keqpërdorur në njëfarë mënyrë protestat. Janë shumë të rëndësishme. Në çdo vend të civilizuar janë studentët ata që i paraprijnë lëvizjeve, është grupi më elitar. Studentët janë një masë shumë e rëndësishme. Kanë energji dhe organizohen shumë më lehtë. Protestojnë për të mbrojtur interesin publik. Kjo për fatin e keq mungon në Shqipëri. Protesta legjendare e armëve kimike arriti të frentonte kryeministrin nga një marrëveshje që i kishte premtuar aleatëve tanë.
Ndoka tha se protestat nuk duhet të mbështeten vetëm te militantët, por te çdo qytetar./vizionplus.tv





