Aksidentet në sy te fëmijët nuk janë të rralla dhe, në disa raste, mund të shkaktojnë dëmtime serioze. Sipas mjekëve okulistë, më të prekur janë fëmijët e moshave të vogla, pasi nuk e njohin rrezikun dhe nuk kanë kontroll të plotë mbi lëvizjet e tyre.
“Fëmija nuk është 100% në kontroll të lëvizjeve që bën, sidomos në moshat më të vogla, dhe rrezikun nuk e njeh. Ne na paraqiten raste kur fëmija, me dorën e vet, ka gërvishtur syrin. Ose një lodër që fëmija, pa dashje, e çon në sy. Ka edhe raste kur ka qenë duke luajtur në park apo në bregdet dhe i futet rërë në sy, ose dhe në park, apo pëson një goditje traumatike, të cilat shpeshherë paraqesin një rrezik të dyfishtë. Gjithashtu, paraqiten raste edhe nga kimikatet që gjenden në shtëpi, qoftë edhe nga një parfum i prindit”, shprehet mjeku okulist Rubin Topi.
Mjekët okulistë u bëjnë apel prindërve të tregojnë kujdes dhe të mbikëqyrin fëmijët, pasi disa dëmtime mund të rrezikojnë edhe shikimin.
“Monitorimi i fëmijës, zgjedhja e lodrave që të mos kenë shumë cepa apo anë prerëse. Të merren masa të caktuara edhe për cepat e tavolinës apo këndet që janë në shtëpi. Vendosen mbrojtëse silikoni. Rastet e aksidenteve mund të ndodhin, por kur merren masa mbrojtëse për fëmijët, rreziku minimizohet.”
Ekspertët e shëndetit theksojnë se, pas moshës 5-6 vjeç, fëmijët janë më të ndërgjegjshëm për rreziqet. Megjithatë, duhet treguar kujdes i vazhdueshëm për të parandaluar aksidentet në sy.
/vizionplus.tv





