90 minuta leksion nuk mjaftojnë për të marrë një note kaluese, ama mund të shërbejë fare mirë për të reflektuar e për të nxjerrë disa konkluzione që shërbejnë për të ardhmen!

 

Ky është rasti konkret i Shqipërisë  e cila të hënën në mbrëmje në “Elbasan Arena”  e pa veten të nënshtruar në lojë dhe rezultat ndaj një kundërshtari si Norvegjia e cila aktualisht është në fazë tranzicioni dhe po përpiqet të ringrihet pas disa viteve në errësire. Natyrisht nuk është aspak dramë të humbasësh qoftë edhe ndaj një kundërshtari jo të fortë aq më teper në miqesore, të cilat në fund të fundit për këtë punë janë, për tu testuar!

 

Disa mund të mos jenë dakort me konstatimin se Norvegjia në këtë moment është një kombëtare jo e fortë ( nisur nga fitorja e nordikeve 4-1 ndaj Australise, pjesëmarrëse në botërorin e Rusisë), ama kjo nuk vlen nëse kjo gjë merret si mjet justifikimi për rezultatin ndaj skuadrës së trajnerit Lagerback. Nuk vlen sepse shumë syresh në institucioninin që drejton futbollin shqiptar, stafi teknik i përfaqësues, specialistë e gazetarë bënin kryq dhe uronin që Norvegjinë ta kishim kundërshtar në grupin e Ligës së Kombeve duke e konsideruar kombëtaren nordike si ndër më të lehtat ndër rivalet e mundshëm. E pra, ja që nuk do të kishte qënë e lehte ndaj vikingeve në një test më serioz se ky nëse goglat do të na e kishin rezervuar këtë fat!

 

E megjithatë le të kthehemi tek thelbi i shkrimit, disfata në “Elbasan Arena”! Menjehere pas sfidës të së hënës unë personalisht dhe pjesa dërrmuese e kolegëve në mediat sportive nxituam (ndoshta me shumë të drejte) të gjenim figurat e duhura letrare për të etiketuar sa më negativisht paraqitjen e kuqezinjve. Sot, pak ditë më vonë duke gjykuar me gjakftohtësi dhe racionalitet do ta përkufizoja ndryshe paraqitjen ndaj Norvegjisë, do të quaja një leksion të nevojshëm të paktën për dy arsye.

 

E para, në aspektin teknik, për të cilin nuk marr përsipër aspak të analizoj ndeshjen pasi ka të tjerë që mund ta bëjnë më mirë se unë këtë gjë. Megjithë vitet e konsiderueshme në këtë profesion,  nuk do të merrja guximin ti jepja mend Panucci-t në këtë drejtim. Jo vetëm sepse nuk e kam formimin e duhur ne training por edhe sepse tekniku italian reflektoi vetë, në konferencën për shtyp një ditë pas humbjes duke deklaruar se kishte nxjerre shumë mësime nga kjo miqësore. Do më duhet të nënkuptoj se ai e ka pasur fjalën për gabimet e skuadrës në 90 minuta, lojtarët e grumbulluar, ata që meritojnë të jenë titullar (nisur nga justifikimi i Panuccit per gjendjen fizike te disave), skemat e bëra lëmsh nga pjesa e parë në të dytë, etj etj, ndryshe cfarë kuptimi do të kishte gjithë ajo mea culpa para mediave! Me këto aspekte gjithsesi le të merren Bajko, Muca, Hafizi, Starova e gjithëkush tjetër që është i fushës.

 

Unë do të merrem me një tjetër aspekt, atë të atmosferës rreth kombëtares, zhurmën dhe dëshirën e madhe për të krijuar një ide që jemi të mëdhenj, kemi një skuadër të fortë, mund të konkurojmë më kedo, e cfarëdo lloj iluzionesh të kësaj natyre, që i trashëguam ndoshta me të drejtë pas paraqitjes dinjitoze në Euro 2016, e që vazhduan të rriten edhe pas rokadës në stol De Biasi-Panucci.

 

Një frymë që u përhap në opinionin sportiv me shpejtësi pas ndeshjeve të fundit të eleminatoreve të botërorit ndaj Lihtenshteinit, Maqedonise, Spanjës dhe Italisë si dhe në mënyrë të vecante pas fitores në miqësore kundër Turqisë!  Krijuam kështu bindje ( edhe une personalisht) se kjo skuadër mund të fitojë edhe duke qënë më e bukur në fushë me rrjeshtimin e ri të Panuccit 4-3-3.

 

E po ashtu afër këtij deliri ishte edhe vetë trajneri, që ndoshta edhe falë këtij entuziazmi të shfrenuar nuk i ka kursyer edhe tonet arrogante dhe ironike në daljet mediatike (kujto këtu qendrimet e fundit në lidhje me mosgrumbullimin e Agollit dhe polemikat pa lidhje me Kosoven për Zhegrovën). Të gjithë këtë situatë do ta përkufizoja nje eufori krejtësisht të panevojshme e cila do të duhej patjeter ti thyente diku hundët për tu rikthyer më këmbë në tokë! E kush mund ta bënte më mirë këtë rol, sesa një humbje e tillë me një lojë tmerrësisht të dobët, ndaj një rivali ne letër jo superior!

 

Më mirë që erdhi tani që kemi kaq kohe dhe dy miqësore të tjera ( ndaj Ukraines më 2 qershor)  përpara për të reflektuar para sfidave te Liges së Kombeve në shtator! Është momenti të reflektojmë e të shohim rreth vetes se cilat janë mundësite që kemi!

 

Unë i përkas atij grupi tifozësh, gazetarësh e specialistësh të cilët i kam parë e dëgjuar në ditët e fundit të shprehen se Shqipëria duhet të bëjë Shqipërinë, jo të mendojë dhe të veprojë përtej kapaciteteve dhe mundësive që ka!

 

Uroj qe kjo humbje te këtë vlejtur pikërisht për të sjell këtë reflektim tek lojtarët fillimisht nga i pari tek i fundit, stafi teknik, institucioni qeverisës i futbollit, ne si media sportive, pse jo edhe tifozët! Kështu po, do ta justifikoja edhe unë titullin e këtij shkrimi, që kjo humbje ndaj Norvegjisë ishte një leksion i nevojshëm, në kohën e duhur….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *