Komiteti i Ekspertëve ka përmbysur vendimet e disa prej fakulteteve në vend të cilët kishin vendosur zhvillimin e mësimit të kombinuar mes prezencës në auditorë dhe leksioneve online.
FATBARDH SALLAKU
REKTOR I UBT
“Mund të ketë studentë që për arsye të ndryshme të infrastrukturës, financiare mund të mos kenë akses në ndjekjen e leksioneve online, por ne kemi qenë gjithmonë shumë fleksibël si staf akademik në ofrimin edhe të mënyrave të tjera në auditorë për këto studentë, në fund të semestrit do të krijojmë një dy javoresh në formën e konsultimeve, për të ofruar maksimumin e mundshëm, por duhet të jemi të vetëdijshëm të dy palët, si stafi akademik ashtu dhe studentët dhe prindërit që mësimi në këto kushte nuk është i njëjtë me mësimin në auditorë.”
Rektori Sallaku është shprehur se praktika luan një rol shumë të rëndësishëm në formimin akademik të studentëve në programet që ofron universiteti.
“Universiteti Bujqësor është specifik në programet që ofron, sepse ka programe, fakultete që janë më shumë të natyrës praktike, janë të mbështetur në aspektin praktik, ku studentët duhet të prekin laboratorin, fermën, bimën e shumë elemente të tjera.”
Ndërkaq vendimi për kalimin e mësimit në distancë nuk gjeti pa përgatitur as fakultetin e drejtësisë, i cili më herët kishte vendosur për zhvillimin e procesit kryesisht online, ndërsa grupet e vogla në fakultet.
SOKOL MENGJESI
DEKAN, FAKULTETI I DREJTESISE
“Fakulteti është angazhuar maksimalisht për të përcjellë informacionin, veçanërisht te vitet e para, qoftë për përdorimin e platformës, për çdo problematikë, apo shpjegimin e orarit, tekstet mësimore, për leksionet, seminaret dhe për gjithë mënyrën si do zhvillohet mësimi.”
Nga ana tjetër dekani Sokol Mëngjesi pranon se vështirësitë më të mëdha do t’i hasin studentët të cilët nuk do kenë mundësinë e ndjekjes së orëve nga shtëpia.
“Është e vërtetë ne këto kushte do hasin vështirësi, kemi ngritur grupe pune për të evidentuar studentët që s’do kenë mundësi për të ndjekur mësimin online. Duke evidentuar rastet konkrete, do marrim masat për të akomoduar apo për t’u ardhur në asistencë edhe këtyre studentëve.”
Me përfundimin e regjistrimeve të maturantëve fitues të raundit të tretë, degët më pak të kërkuara në universitetin bujqësor, kane rezultuar agronomia, inxhinieria e pyjeve dhe izoteknika.





