Subscribe

Më 19 korrik të vitit 2020 hyri në fuqi vendimi i qeverisë “Për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit”, për të detyruar operatorët e biznesit ushqimor që të etiketojnë produktet që prodhojnë dhe tregtojnë, duke shkruar në të listën e përbërsve.

 

Por abuzimi është i shpeshtë në këtë drejtim dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po përgatit dosje kallëzuese për një numër subjektesh që janë kapur në shkelje.

 

Subjektet në fjalë importojnë qumësht dhe produkte bulmeti, por në etiketë nuk deklarohet e saktë sasia e qumështit pluhur apo yndyrnave bimore në përmbajtje.

 

JETA DEDA

 

DREJTORE E AUTORITETIT KOMBETAR TE USHQIMIT

 

“Kemi nisur edhe një program të thelluar hetimi sa i përket importit të qumështit pluhur, importit të yndyrnave dhe mënyrën sesi ato përdoren në teknologjitë ushqimore. Deri tani janë verifikuar 25 subjekte importuese, janë në proces verifikimi 40 subjekte të tjera përpunuese, baxho, fabrika gjysmë të automatizuara. Për 55 raste kemi vendosur të shkojmë më tej edhe me analiza për risk më të lartë. Deri më tani kemi në finalizim të përpilimit të tyre 3 dosje që do t’i shkojnë organit të prokurorisë për arsye të mashtrimit ushqimor me nënproduktet e qumështit. Ajo që shkruhet në etiketë nuk është e njëjtë me atë që është deklaruar.”

 

Sipas AKU-së, shëndeti i konsumatorëve nuk rrezikohet nga tepricat e qumështit pluhur në produkt, por nuk merren vlerat e duhura ushqyese.

 

JETA DEDA

 

DREJTORE E AUTORITETIT KOMBETAR TE USHQIMIT

 

“Kontrolle më të rrepta të cilësisë, respektimi i standardeve ndërkombëtare dhe kërkesat e gjurmueshmërisë do të zbatohen për të siguruar që produktet e importuara plotësojnë të njëjtat standarde të larta që priten nga prodhuesit vendas. AKU këtë vit do të investojë në blerje pajisjesh laboratorike, që shtojnë kapacitetet analitike dhe në industrinë e qumështit e nënprodukteve të tij, për të mbikëqyrur dhe vlerësuar riskun në dobi të standardeve dhe më të rrepta në prodhim e përpunim.”

 

AKU bën apel për konsumatorët të ndërgjegjësohen për të mos blerë produkte të patiketuara dhe në çdo rast abuzimi që hasin, të njoftojnë autoritetet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *