Subscribe

Një mësuese ka humbur jetën ditën e sotme teksa shkonte në vendin e saj të punës, sëbashku me mesues e infermierë të cilët kanë mbetur të lënduar në një aksident rrugor në aksin Miras – Arëz.

 

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08.00 të mëngjesit të sotëm vetëm pak km larg fshatit Miras.

 

Policia bën të ditur se në mjetin Range Rover me targe AA112CA me drejtues Çlirim Hoxha po udhëtonin 5 mësues të fshatrave Sinicë dhe Arëz dhe një infermiere, të gjithë duke shkuar në vendet e tyre të punës.

 

Në vendin e quajtur Shkallë, gjithnjë sipas policisë, mjeti ka tentuar ti hapë rrugën një mjeti tjetër përballë që vinte nga Sinica.

 

 

Në kohën kur është rinisur nga vendi, mjeti me mësuesit për shkak të pranisë së madhe të akullit në rrugë ka rrëshqitur duke zbritur disa metra poshtë. Ky duket se ka qenë edhe momenti fatal për 48 vjeçaren Luiza Dule, nënë e dy fëmijëve, e cila punonte si kryemësuese në fshatin Arëz, ku jepte lëndën e gjuhë – letërsisë prej shumë vitesh.

 

Nga rrëshqitja mjeti është batuar në krahun e djathtë duke zënë poshtë 48-vjeçaren e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Banorët thonë se rruga nga Mirasi deri në Arëz është tejet e vështirë për tu kaluar për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe investimeve në vite, rrugë e cila bëhet shumë herë më e vështirë në periudhën e dimrit.

 

Për shkak të rreshjeve të shumta të borës dhe pranisë së akullit në të gjithë aksin rrugor të vetmet mjete që mund të kalojnë janë mjetet e larta.Të pestë mësuesit dhe infermierja e bënin çdo ditë këtë rrugë me të njëjtin mjet, por dita e sotme ka rezultuar fatale për 48 vjeçaren nga fshati Miras.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *